Juan Cuadrado largohet zyrtarisht nga Juventusi. Anësorit kolumbian i skadon pikërisht sot kontrata që kishte me bardhezinjtë dhe nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale njoftoi lamtumirën, duke qenë se palët nuk e panë të arsyeshme të zgjasnin bashkëpunimin.
“Kemi luftuar së bashku 314 herë, duke fituar 11 trofe”, shkruan ndër të tjera Cuadrado në rrjetet sociale, duke falënderuar familjen bardhezi, ku kaloi 8 vite jo pak të suksesshme.
“Kanë qenë 8 vite plot gëzim, rritje konstante dhe pune të vazhdueshme, por edhe buzëqeshjeje, energjie pozitive, kërcimi, batutash e shakash në dhomat e zhveshjes”, vijon më tej Cuadrado.
Anësori kolumbian iu bashkua Juventusit në verën e 2015-ës, fillimisht në huazim 2-vjeçar nga Chelsea dhe më pas duke u transferuar plotësisht te bardhezinjtë, teksa në 8 sezone ia doli të fitojë shumë, duke mbajtur madje edhe shiritin e kapitenit.
Tashmë kolumbiani është një lojtar i lirë të vendosë për të ardhmen e tij, që me shumë gjasë do të vijojë të jetë në kampionatin italian, aty ku ka kaluar pjesën dërrmuese të karrierës sportive.