5000 bileta në 30 minuta! Rumania përgatit ferrin për shqiptarët, thyhet rekord shitjesh për Kosovën

Rumani-Kosovë do të jetë ndeshja e radhës në Ligën e Kombeve sa i përket  grupit të dytë në Ligën C. Kjo përballje do të vendos përfundimisht edhe kokën e grupit teksa rumunët janë ndjeshëm të favorizuar. Pas fitores 0-3 në Kosovë, Rumania është thuajse e siguruar në vendin e parë në grup dhe vetëm një mrekulli mund të shpëtojë Kosovën.

Kjo pasi Rumania ndodhet në vendin e parë me 12 pikë, ndërsa Kosova vjen e dyta me 9 pikë. Në rast barazimi pikësh, është ndeshja direkte që vendoset në zbatim dhe dardanëve i duhet një fitore më e thellë se 0-3 për të lënë pas vetes Rumaninë dhe të mos varen nga rezultati i tyre në ndeshjen e fundit ndaj Qipros në shtëpi, ku fitorja është mision i lehtë.

Për shkak të kësaj arsye, por edhe të përplasjes së rumunëve me shqiptarët, interesimi është i frikshëm. Mediat rumune kanë raportuar se janë shitur 5000 bileta në vetëm 30 minuta për ndeshjen Rumani-Kosovë. Sipas tyre, stadiumi do të jetë i tejmbushur, teksa priten 40.000 tifozë në Bukuresht.

Rumunët kanë shpalosur në të kaluarën se Kosova është pjesë e Serbisë. Për t’i kthyer reston, tifozët shqiptarë kanë vërshëllyer himnin e Rumanisë në momentin kur këta të fundit kanë ardhur për të luajtur me Kosovën. E gjitha kjo i ka nxitur edhe më tepër rumunët për të qenë prezent në ndeshjen e radhës kundër dardanëve. E sigurt është që ekipin e Fodës e pret një ferr i vërtetë në transfertë, atje ku do të ketë me siguri shumë thirrje kundër shqiptarëve. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top