Nuk ka përfunduar ende polemika që ndezi një tifoz i Juventusit me Angel di Marian, në rrjetet sociale, pasi e quajti argjentinasin “mercenar” dhe që duhej të shporrej nga skuadra, pas rendimentit të dobët të periudhës së fundit. Por edhe pse “El Fideo” iu përgjigj se ishte tifozi që nuk e meritonte Juventusin, duke qenë se e mbështeste vetëm në momentet pozitive, ajo që duket se ka ndryshuar panoramën e së ardhmes së 35-vjeçarit në Torino, ishte bashkëshortja e lojtarit.
Jorgelina Kardoso, siç ka bërë gjithmonë kur Angel është sulmuar, ka bërë të njëjtën gjë, madje i ka hedhur benzinë zjarrit, sërish me anë të komenteve në rrjetet sociale. “Akuzoni atë, por nuk është ai që përgatiti skuadrën, nuk është ai trajneri, nuk është ai që preferon të presë mbrapa. Qepe gojën, sepse ose je budalla, apo të paguajnë për ta bërë!?”, nënvizonte Jorgelina Kardoso, duke e shoqëruar postimin e saj me një video të “El Fideos”, me disa prej goditjeve më të mira të tij me bluzën e Juventusit.
Për më shumë, edhe me një postim final për ndjekësit: “Për t’iu rifreskuar ndonjë kujtim… Gjithmonë me ty, përpara, kurrë mbrapa. Deri në fund! Të dua shumë”, mbyllej postimi i bashkëshortes, ku pa dyshim nuk mund të mungonte postimi i vetë Angel di Marias: “Unë të dua edhe më shumë jeta ime!”
SFUMON RINOVIMI- Dhe kaq ka mjaftuar që menjëherë brenda klubit të Juventusit të ndizet një debat i radhës, një çështje e radhës më saktë, sepse në momentin kur dukej se të dyja palët ishin pranë rinovimit, kanë nisur menjëherë thashethemet se mundësia e firmës ka sfumuar përfundimisht.
Kjo, pasi vetë Di Maria dhe bashkëshortja e tij duken të lodhur nga kontestimet, sa herë që gjërat shkojnë keq për Juventusin, ndërsa tjetra nga vetë klubi, i cili nuk është se i pëlqen shumë përplasjet me tifozët. Por në të njëjtën kohë, mbase pa Champions-in, një rrogë e Angel di Marias prej gati 6 milionësh neto, e shoqëruar edhe me një mungesë vazhdimësie në rendiment nuk justifikon sakrificën financiare.
Kështu që, ata që kishin frikë se pas dënimit të radhës së Juves lodra bardhezi do të niste të prishte disa nga ingranazhet e saj, dje ka marrë aprovimet e para. Dhe fakti që klubi i Juventusit pikësëpari nuk ka dalë që të mohojë faktin në fjalë do të thotë shumë.
Gjithsesi, ndoshta Di Maria është vetëm i pari nga disa prej yjeve të mëdhenj që do të bëjë valixhen gati.