“Një ditë do të nderoj Milanin”, Leao: Dua Champions-in dhe “Topin e Artë”

Rafael Leao mbase nuk do të firmosë sot, por nuk ka hezituar për asnjë moment të shfaqë dashurinë e tij ndaj Milanit. E jo në një intervistë të zakonshme, por në një bashkëbisedim me tifozët në profilin e tij personal në “YouTube”.

 

Cili është kundërshtari më i vështirë që ju ka markuar?

Tiago Silva, një lojtar me përvojë që ka cilësitë dhe që i lexon shumë mirë hapësirat. Është shumë inteligjent, por edhe Danilo është shumë i fortë.

Nëse do të mund të ndryshonit diçka në karrierë çfarë do të ishte?

Kam pasur momente të vështira e të bukura, por nuk do të ndryshoja asgjë, sepse çastet negative më kanë ndihmuar të rritem si lojtar e sidomos si njeri. Nuk do të ndryshoja asgjë, sinqerisht. Falë këtij rrugëtimi jam këtu ku jam e pikërisht peripecitë do të më ndihmojnë të arrij synimet e mia.

Cili ka qenë suksesi më i madh deri tani?

Pa dyshim kur u bleva shtëpinë prindërve. Dy njerëz që kanë sakrifikuar shumë për mua dhe më kanë ndihmuar të arrij gjithçka kam. Kur arrin në një nivel të caktuar, duhen shpërblyer të gjithë ata që të kanë ndihmuar. Prindërit e mi janë dy prej tyre.

Po trofeu më i rëndësishëm?

Titulli me Milanin. Kam thuajse katër vite te Milani dhe më në fund arritëm diçka që tifozët e kërkonin prej kohësh. Përjetuam ditë të pabesueshme dhe gjithmonë ndieja se po fitonim diçka shumë të rëndësishme. Ai ka qenë trofeu më i jashtëzakonshëm i karrierës sime.

A ka ndonjë trofe që ëndërroni?

Në aspektin ekipor do të doja Champions-in. Kam ëndërruar gjithmonë të mbërrij një objektiv të tillë herët a vonë.

E ndieni të bëni ndonjë premtim në rast se fitoni Champions-in?

Do të lyeja flokët kuqezi për të përfaqësuar Milanin dhe qytetin e Milanos.

Cili ka qenë lojtari juaj i preferuar?

Ronaldinjo, Kristiano Ronaldo, Robinjo dhe Nejmar.

Keni ndonjë idhull apo hero?

Pikë referimi kam Kristiano Ronaldon, por heroi është pa dyshim im atë.

Cila ka qenë ndeshja më e rëndësishme e karrierës suaj?

Sporting-Porto. Shënova në një ndeshje ku do të vendosej fati i titullit. Nuk e prisja as që të luaja e jo më të shënoja kundër Kasijasit. Atë ndeshje nuk do ta harroj kurrë.

Keni pasion edhe për muzikën. Si lindi?

Mendoj se nga familja, sepse babai dhe xhaxhai im janë muzikantë. Im atë ka kënduar gjithmonë. Repi dhe afrohaus janë rrymat e mia të preferuara, por shpesh muzika që dëgjoj varet nga gjendja ime emocionale.

A keni ndonjë shok të ngushtë në skuadër?

Kam me të gjithë një raport shumë të mirë.

Përse qeshni gjithmonë?

Secili prej nesh ka mënyrën e tij për të treguar kur bën diçka që kënaqet. Që kur isha i vogël i tregoja dhëmbët si për të shprehur se po argëtohesha. Kjo është arsyeja që unë qesh gjithmonë, por është diçka e natyrshme që nuk e bëj enkas.

Si u ndiet kur e patë veten në listën e kandidatëve për “Topin e Artë”?

Sinqerisht prisja të isha në listë, por jo aq afër dhjetëshes së parë. Ishte një kënaqësi e madhe për mua. Gjatë këtyre viteve kam treguar futbollin tim, duhet të falënderoj të gjithë kolegët e mi, klubin tim dhe njerëzit që më kanë ndihmuar të arrij këtë rezultat. Vitin e ardhshëm shpresoj të jem në dhjetëshen e parë. Mendoj se ëndrra e një lojtari është të fitojë “Topin e Artë”. Shpresoj ta arrij një ditë.

Cili është tatuazhi më domethënës që keni në trup?

Të gjithë kanë kuptim shumë të madh, gjithçka që kam në trup përfaqëson trajektoren time. Kam një me babin, ndoshta ai është më përfaqësuesi. Kam gjithashtu një tatuazh me datën e golit tim të parë në Champions.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top