Një epokë suksesi merr fund, Igli Tare dhe Lazio drejt ndarjes pas 18 vitesh

Igli Tare do të largohet nga Lazio pas 18 vitesh si drejtor sportiv, duke përmbyllur kështu një epokë suksesi në klubin kryeqytetas. Mediat italiane bëjnë me dije se presidenti Lotito dhe Tare kanë vendosur të ndërpresin marrëdhënien kontraktuale, duke u ndarë në mënyrë miqësore, pa drama.

Mësohet se ish-sulmuesi i Kombëtares dhe një sërë klubesh në Gjermani dhe Itali i ka dhënë lamtumirën ekipit dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i divorcit. Ndërkohë, mësohet se Lotito e ka gati pasuesin e Tares si drejtor sportiv i Lazios.

Bëhet fjalë për Angelo Fabianin i cili do të punojë me trajnerin Maurizio Sarri për të ndërtuar skuadrën e së ardhmes. Një nga objektivat më të mëdha të Lazios në merkaton e verës do të jetë sulmuesi i Sassuolos, Domenico Berardi, vlera e kartonit të të cilit shkon deri në 35 milionë euro.

Ky vit ishte i suksesshëm sportivisht për Lazion, por shumë i trazuar për Taren, i cili ka pasur shumë përplasje me drejtuesit e tjerë, veçanërisht me trajnerin Sarri. Sa për të ardhmen e ish-sulmuesit kuqezi, ofertat në drejtim të tij janë të shumta, teksa një nga opsionet mësohet të jetë edhe Juventusi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top