Nëse ka një antijuventin të deklaruar dhe që e konfirmon sa herë i jepet mundësia, ai është Marko Materaci. Ish-mbrojtësi i Interit, në kanalin e tij në “YouTube” ka treguar së fundmi një anekdotë, të pak ditëve më parë.
“Isha në Napoli, po edhe pse nuk bëj tifozllëk për ata, e vërteta është se sivjet m’u bë shumë qejfi që arritën të fitojnë titullin kampion. Pastaj për mua ishte edhe një vizitë e bukur për të parë këtë qytet shumë të bukur, pas shumë kohësh.
Në këtë periudhë, Napoli gëlon nga festimet që ende nuk kanë përfunduar dhe teksa vendosa të dal një xhiro, në një moment isha duke folur në telefon dhe një person përballë meje më drejtohet: ‘Hej, je ti’ dhe unë i përgjigjem: ‘Po’. Unë nuk e njihja fare atë person, por nuk desha që ta zgjas më dhe ai më kthehet: ‘Ej, po ti nuk flet.. Je me të vërtetë një juventin!
’ Kaq desha, lashë telefonatën dhe iu ktheva: ‘Ej mik, ky është një ofendim. Do të kisha pranuar në qetësi që më mirë të më kishte thënë bir k… sesa juventin. Juventin jo, nuk ta pranoj’”, tregoi Materaci.