E kërkuam gjithandej, por nuk e gjetëm. Nëse do të kishte një të munguar të madh në festën e djeshme të titullit kampion, ishte Engjëll Hoti.
Mesfushori i avancuar ditën e djeshme nuk ishte pjesë e skuadrës ndaj Teutës dhe nuk mori pjesë në festën e titullit kampion, rrjedhimisht nuk mori as medaljen e kampionit, megjithëse kosovari ishte një nga lojtarët më të shquar të skuadrës së kuqe.
Burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se mesfushori nuk ka qenë aspak i kënaqur me trajtimin që i është bërë nga trajneri dhe drejtuesit në këtë fundsezoni dhe kjo hatërmbetje e ka shtyrë që të mos marrë pjesë as në festën e madhe të titullit kampion.
Siç dihet, Hotit i skadon kontrata në qershor dhe me këtë që ndodhi dje, ai mund të quhet i larguari i parë nga 17 herë kampionët e Shqipërisë.