Këtë javë, respektivisht në datat 12 dhe 15, Kampionët e Botës, Argjentina do të zhvillojnë dy miqësore në Kinë. Fillimisht Albicelestet do të përballen me Australinë e më pas me Indonezinë, teksa kombëtarja amerikano-latine mbërriti të dielën në Kinë.
Por, jo gjithçka shkoi mirë për Lionel Messin i cili për më shumë se dy orë u ndalua në aeroport për shkak të një ngatërrese të bërë nga vetë sulmuesi. “Pleshti” kishte udhëtuar drejt Kinës me pasaportën spanjolle dhe jo atë argjentinase dhe oficerët e ndaluan për të sqaruar situatën ndërsa vetëm pas disa orësh i siguruan Messit një vizë në mënyrë që të levizte sipas rregullave.
Në fakt, peripecitë për Messin nuk përfunduan me kaq pasi me të mbërritur në hotel, tifozët u grumbulluan dhe prisnin ta shihnin nga afër 35-vjeçarin. Madje, një prej tyre kishte paguar më shumë se 1120 paund vetëm për t’iu afruar dhomës së numrit 10, por që sigurisht në fund nuk ia doli pasi u ndal nga punonjësit e sigurisë së hotelit.
Nga ana tjetër, Argjentina u detyrua ta anulonte stërvitjen për arsye sigurie duke qenë se futbollistët nuk mund të dilnin nga hoteli, një situatë e cila u qetësua vetëm pas disa orësh, me 3 herë Kampionët e Botës që mundën të kryenin vetëm një seancë stërvitje, atë të pasdites.