Real Madridi edhe një herë është rikthyer te aventura e transferimit të Kylian Mbappes nga Paris Saint-Germain për t’i dhënë fund telenovelës nga vera e kaluar.
Sulmuesi francez e njoftoi kampionin e Ligue 1 të hënë përmes një letre zyrtare se nuk do ta ushtronte opsionin e vazhdimit të kontratës edhe për një vit dhe do të largohej në vitin 2024.
Fituesi i Kupës së Botës gjithashtu i bëri të ditur PSG-së se ai do të qëndrojë edhe në sezonin e ri në Parc des Princes dhe do të largohet si lojtar i lirë.
Mirëpo, klubi parisien nuk do ta lejojë një gjë të tillë dhe po synon ta shesë atë në këtë verë.
Andaj, sipas asaj që raporton L’Euqipe, Los Blancos e di se edhe klubet nga Liga Premier si, Manchester United, Chelsea, Liverpool dhe Arsenali mund të tentojnë transferimin e tij.
Mediumi francez shton më tej se duke parë një situatë të tillë, Real Madridi është i gatshëm që të paguajë 200 milionë euro për kartonin e Mbappes.
Dëshira e lojtarit është që të kalojë në Santiago Bernabeu, por inati që PSG ka me klubin spanjoll, mund të bëjë që ai të shitet në Angli.