Christophe Galtier nuk është shkarkuar ende nga stoli i PSG, por në Francë bëjnë me dije se Galtier ndodhet në paraburgim, së bashku me të birin e tij. Dyshja janë ndaluar nga policia në Nice pas akuzave për diskriminim nga ish-drejtori sportiv i Galtier te Nice, Julien Fournier.
Galtier që pritet së shpejti të shkarkohet nga posti te Paris Saint-Germain për ta dorëzuar stafetën te Luis Enrique, aktualisht është duke dëshmuar në polici ndërsa në këtë mes është i përfshirë edhe djali i 56-vjeçarit, John.
Kujtojmë se hetimi në lidhje me çështjen e diskriminimit ka nisur prej muajit prill ku Galtier akuzohet se në kohën kur drejtonte Nice gjatë sezonit 2021/2022, ka pasur sjellje raciste dhe islamofobe ndaj lojtarëve të tij.
Kjo akuzë ndaj Galtier, shërbeu si një shtysë më tepër që PSG të marrë vendimin për të ndërprerë bashkëpunimin me 56-vjeçarin, teksa pronarët arabët të parizienëve nuk mund ta toleronin teknikun në këtë pikë kur në këtë çështje preken edhe ata, si besimtarë të devotshëm muslimanë.
Galtier e mori drejtimin e PSG në verën e shkuar, por nuk mundi të zhvillonte një sezon pozitiv duke fituar vetëm kampionatin.