Muaji qershor foli për kuqezinjtë. Përveç Kombëtares A, në fushë zbritën edhe ekipet zinxhirë të moshave, edhe pse në takime miqësore, duke qenë se eliminatoret me bashkëmoshatarët e tyre i nisin në shtator.
Ndryshe nga herët e fundit, ajo që bie në sy është bilanci pozitiv në total i të gjithë ekipeve që janë përfaqësuar me fanellën kuqezi, teksa janë luajtur 9 ndeshje gjatë muajit që sapo lamë pas dhe numërohen 6 fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje.
BILANCI- Shqipëria e Silvinjos arriti të marrë dy fitore në dy ndeshje, fillimisht me Moldavinë në shtëpi, me golat e Jasir Asanit dhe Nedim Bajramit dhe gjithashtu një fitore në transfertë ndaj Ishujve Faroe, me autorë të golave: N.Bajrami, Asllani dhe Muçi.
Ndërkohë nëse zbresim pak më poshtë, Kombëtarja Shpresa fitoi në miqësoren e vetme që zhvilloi me Bullgarinë U-21 në “Elbasan Arena”. Shënues për kuqezinjtë e Alban Bushit ishin: Medon Berisha, Stiven Shpendi dhe Arda Kurtulan.
Sa i përket Kombëtares U-19, tani e drejtuar nga Ervin Bulku, u arrit një fitore 1-0 me golin e Kurtit dhe një barazim pa gola, në dy miqësoret ndaj Kosovës.
Shqipëria U-17, e drejtuar nga Ardi Behari, në dy sfidat me Maqedoninë e Veriut, arriti po ashtu një barazim 0-0 dhe një fitore 3-1 në takimin e dytë. Golat u shënuan nga: Erigestino Pepnikaj, Tedi Malaj dhe Ergis Arifi.
Ndërkaq, humbja e vetëm erdhi nga Kombëtarja U-15 që u mposht takimin e parë 3-2 në Ohër me Maqedoninë e Veriut dhe fitoi me po të njëjtin rezultat në ndeshjen e dytë në “Elbasan Arena”.