Zhoze Murinjo ka një ëndërr për në merkato dhe ai është sulmuesi spanjoll Alvaro Morata. Trajneri portugez i ka kërkuar klubit që të ketë patjetër shërbimet e futbollistit dhe mesa duket, palët janë në rrugën e duhur për të mbyllur marrëveshjen.
Drejtuesit e Romës e kanë marrë shumë seriozisht këtë kërkesë të trajnerit dhe kanë organizuar edhe një takim me menaxherin e futbollistit. Gjatë ditëve në vijim palët do të takohen për të ditur më qartë se ku qëndron oferta e tyre karshi kërkesës së lojtarit dhe klubit të Atletikos gjithashtu. Me këtë takim, ka rënë ndjeshëm edhe mundësia që lojtari të transferohet te Milani edhe pse kuqezinjtë e kishin dëshirë të madhe.
Sakaq, Murinjo ka ditur të jetë sërish protagonist në rrjetet sociale. Me anë të një videoje ai shfaqet në zyrën e tij duke punuar së bashku me pjesën tjetër të stafit teknik dhe në mur shihen edhe shënimet që tekniku ka bërë. Mes shumë shënimeve, Murinjo ka zbuluar edhe ndeshjet miqësore të Romës, nga të cilat 2 janë ende me pikëpyetje.