Egnatia rrëmbeu një barazim 1-1 kundër Araratit të Armenisë mbrëmjen e sotme. Rrogozhinasit shënuan në minutën e 96 të takimit dhe debutuan kështu me barazim në turet kualifikuese të Ligës së Konferencës. Edlir Tetova ka folur në konferencë për shtyp pas përfundimit të ndeshjes, ku shprehet i kënaqur me rezultatin e marrë.
“Në pjesën e parë u përpoqëm ta njihnim kundërshtarin, pasi nuk kishim shumë informacion për të ardhurit. Në pjesën e dytë u përpoqëm të bënim lojën tonë. Prisnim që do të ishte një lojë mjaft e vështirë dhe ashtu ishte. Në pjesën e dytë kundërshtari luajti më shumë futboll në mbrojtje. Është herët për të folur për pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit.
Jemi të kënaqur me këtë rezultat, por nëse do të kishim realizuar momentet që krijuam, mund të kishim fituar. Megjithatë, kjo ndeshje është tashmë në të kaluarën. Ne do të fokusohemi në ndeshjen tonë të radhës. Në ndeshjen e kthimit do të jemi pritës dhe do të luajmë para tifozëve tanë”, ka deklaruar Edlir Tetova.