Xhorxho Furlani ka lëshuar disa deklarata, duke u ndalur veçanërisht në turneun amerikan, që për kuqezinjtë nisi në mëngjesin e sotëm në orën 04:00 me sfidën ndaj Realit të Madridit.
Në fjalën e tij, administratori i deleguar i “djallit”, theksoi: “Pse jemi këtu? Arsyeja e parë: është një turne i nivelit të lartë, që do të na japë mundësinë të luajmë kundër disa prej skuadrave më të mira në botë dhe është një mënyrë e rëndësishme për t’u përgatitur për sezonin e ardhshëm. Arsyeja e dytë është, sepse Shtetet e Bashkuara janë shumë të rëndësishme për ne.
Tregu i sportit në Shtetet e Bashkuara është më i madhi në botë dhe futbolli po zhvillohet me shpejtësi. Është një aspekt shumë i rëndësishëm për ne. Milani ka një bazë të rëndësishme tifozësh me disa klube tifozësh në Amerikën e Veriut dhe shpresojmë t’i shohim nëpër tribuna gjatë ndeshjeve tona në ditët në vijim”.
Kishte shumë skepticizëm pas shkarkimit të Paolo Maldinit, por për Furlanin momenti i vlerësimeve nuk ka ardhur akoma. Duke dashur të nënvijëzojë edhe një herë forcën e frymës së bashkëpunimit, ai shtoi:
”Fondi “RedBird Capital” zotëron Milanin. Ato operojnë në fushën e sportit, medias, argëtimit dhe kulturës. Los Anxheles është kryeqyteti i argëtimit, ndaj prania jonë këtu merr edhe më shumë kuptim nëse e shohim në këtë aspekt. Hera e fundit që Milani ishte këtu ishte viti 2018. Duam të kthehemi sa më shpesh. Me ne disa legjenda të klubit tonë si Daniele Masaro dhe Franko Barezi. Ata kanë luajtur në Amerikë shumë vite më parë”.