Klubi i Interit është në kërkim të përforcimeve për vijën e parë të sulmit, pasi i ka dhënë lamtumirën emrave si Lukaku e Xheko. Zikaltërit duan një qendërsulmues dhe janë vënë në ndjekje të shumë profileve, teksa kanë kontaktuar me menaxherë të njohur për shërbimet e futbollistëve të tyre.
Një prej emrave më të famshëm është edhe Horge Mendes, menaxheri i njohur portugez, i cili u ka propozuar zikaltërve afrimin e Mehdi Taremit, sulmuesit të njohur iranian të Portos. Taremi është një lojtar me eksperiencë dhe do të sillte te Interi një profil të ndryshëm sulmuesi nga ata që ka në dispozicion Inzagi.
Mendes ka bërë të qartë se për futbollistin, Porto do të kënaqej me një shkëmbim lojtarësh, ndaj ka kërkuar që në vend të tij, në drejtimin e kundërt të udhëtonte Kristjan Asllani.
Sipas mediave italiane, kërkesa është refuzuar në mënyrë të menjëhershme nga drejtuesit e Interit. Ata e shohin Asllanin si një element të rëndësishëm për të ardhmen, një alternativë që mund të mbulojë disa role në mesfushë, ndaj i kanë bërë të qartë menaxherit se lojtari nuk do të përfshihet në asnjë shkëmbim të mundshëm, me Taremin, apo elementë të tjerë që ai mund të propozojë.