Partizani ka arritur që të fitojë kundër Atletic D’Escaldes me shifrat 0-1. Ndaj një ekipi modest, me trajner dhe 8 lojtarë të larguar, të kuqtë nuk e bën dot diferencën. Pjesa e parë ishte thuajse katastrofë për të kampionët e Superiores.
Asnjë kombinacion dhe ide për të dalë në sulm, karshi një rivali që kur kryente tre pasime së bashku, ishte arritja më e madhe. Topat e gjatë shiheshin si zgjidhje e vetme duke krijuar një lojë tërësisht të shëmtuar.
Dukej si një stërvitje e Partizanit, por në fakt ishte ndeshje zyrtare në turin e dytë të Conference League. Me nisjen e së dytës, portieri i Escaldes kërkoi të luante pak me Mba për ta dribluar. Por sulmuesi arriti të kapte topin dhe ta dërgonte në rrjetë.
I vetëdijshëm që një gol i tillë ndaj një rivali të tillë dhe me një lojë si ajo e Partizanit nuk kishte arsye për t’u festuar, Mba nisi të largohej me kokën ulur. Pjesa e mbetur ishte po e thuajse e njëjta panoramë, me Partizanin që zhgënjeu dukshëm dhe ishte shumë larg nivelit të ndeshjes me Bate Borisov. Në fund, një fitore 0-1 që askush nuk e ka guximin për ta festuar. Menjëherë pas ndeshjes, Starova e ka komentuar këtë përballje teksa ishte i ftuar në “Skaner” në “MCN TV”. Starova e kishte parashikuar ndeshjen me shifrat 0-6 në favor të Partizanit, por në fund i pa ndryshe të kuqtë.
“E parashikova 0-6 që fiton sot Partizani, por e kishte fajin Partizani (qesh). Rivalët ishin modest, kamariera. Hadroj ishte jashtë forme, Sota nuk më pëlqeu. Nuk krahasohet fare me futbollin tonë. Ajo që unë pashë është që pas dhuratës që na bën te goli, te Partizani filloi të menaxhonte rezultatin, kjo ishte më e keqja. Mendoj se tani fillon këmbana e alarmit, duhen plotësuar objektivat, Partizani mund të hyjë në grupet e Conference League”, tha Starova.