Kukësi i këtij sezoni është shumë larg atij që janë mësuar të shohin tifozët këtë dekadë në Superiore, ku pretendonin titullin kampion.
Duket se klubi po kalon një vështirësi nga ana financiare dhe është fokusuar më shumë tek afrimi i lojtarëve të rinj dhe pa shumë përvojë. Kampionati është në prag dhe me situatën aktuale gjasat janë që blutë këtë sezon të synojnë mbijetesën dhe më pas të tentojnë vitin tjetër të rikthehen sërish pretendentë. Humbjet e mëdha financiare këto tri vitet e fundit kanë bërë të sajën, që po reflektohet këtë sezon, ku edhe me lojtarët e sezonit të kaluar u arrit zgjidhja me marrëveshje e kontratave, për të ulur shpenzimet, pasi kishin edhe pagesa të larta. Duket se gabimet e së kaluarës me shpenzimet e tepruara dhe pa përfituar asgjë po e japin efektin e tyre këtë vit, i cili pritet të jetë i vështirë.
AKSIONET – Situata jo e mirë financiare që po kalon klubi i Kukësit ka bërë që në horizont të dalin biznesmenë të rinj që duan të investojnë në skuadër. Gazeta mëson se janë disa palë të interesuara, por deri më tani familja Gjici, e cila gëzon maxhorancën absolute, nuk ka pranuar asnjë ofertë. Ata duan ta mbajnë ende klubin, ku kanë më se 10 vite që investojnë dhe e dërguan në majat e futbollit shqiptar.
Gazeta mëson se interesimi ka qenë konkret nga disa palë dhe bëhet fjalë për investitorë të fuqishëm në vend, që duan të hyjnë në tregun e futbollit dhe e shohin Kukësin si një mundësi më të mirë investimi. Njëra prej këtyre kompanive është edhe ajo e miellit “Atlas”, të cilën e zotëron familja Domi, me origjinë nga qyteti i Kukësit. Interesim për klubin nuk kanë shfaqur vetëm biznesmenët kuksianë, por edhe të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje direkte me qytetin, por e shohin thjesht si një klub ku duan të investojnë.
Por, deri më tani këto negociata janë frenuar nga ana e familjes Gjici, që nuk kanë ndërmend ta lëshojnë skuadrën. Gjithsesi, përballë ndonjë oferte të parezistueshme, ndoshta mund të bëjnë pas dhe klubi të ketë pronarë të tjerë. Nga ana tjetër, edhe koha nuk pret, sepse kampionati është në prag dhe ata që duan ta blejnë të kenë kohën e tyre për të ndërtuar skuadrën. Pritet që brenda pak ditësh të mësohet përfundimisht se çfarë do të bëhet me këtë çështje, nëse në Kukës do të nisë një “erë” e re apo do të vazhdojë të jetë në zotërimin e familjes Gjici.