Nuk është Balogun, Inter transferon bomberin e ri për €35M

Pasi dështoi të rikthejë në skuadër sulmuesin belg Romelu Lukaku, Inter ka nisur nga puna për të gjetur një lojtar të ri.

Zikaltërit kanë kthyer vëmendjen kah Folarin Balogun, por kërkesat e larta të Arsenalit po e bëjnë të pamundur transferimin e amerikanit në Milano.

Lista e sulmuesve kandidatë është e gjatë, por orët e fundit duket se po konkretizohet pista që synon të sjellë në Milano talentin 20-vjeçar francez Elye Wahi.

Lojtari luan me Montpellier në Francë, ku sezonin e fundit shkëlqeu në League 1, me 19 gola dhe 6 asistime në 33 ndeshje.

Një sulmues ku bashkohen si shpejtësia, nuhatja e golit si dhe shpërthimi para portës.

Paraqitja e tij ka tërhequr vëmendjen e Inter dhe sipas “Gazzetta Dello Sport” zikaltërit synojnë ta sjellin në Serie A.

Te Montpellier po fërkojnë duart nga ky interesim, pasi lojtari vjen nga Akademia e tyre dhe shitja e tij kap shifrën e 35 milionë eurove.

Elye Wahi është edhe pjesë e kombëtares U-21 të Francës dhe konsiderohet si e ardhmja e sulmit të “gjelave”.

Në tri sezonet e fundit lojtari ka njohur një rritje të jashtëzakonshme, duke bërë që konkurrenca të jetë e madhe.

Marotta kërkon të përshpejtojë transferimin e francezit, që ka një kontratë deri në vitin 2025 me Montpellier.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top