Leçe e Ylber Ramadanit, Kastriot Dermakut dhe Medon Berishës, e ka nisur më këmbën e mbarë këtë sezon në Serinë A italiane, teksa në 2 javët e para që është përballur me dy skuadra të forta si Lacio dhe Fiorentina ka arritur të sigurojë 4 pikë.
Një meritë për këtë ecuri të skuadrës verdhekuq ka padyshim edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, që fitoi menjëherë vendin e titullarit te skuadra e Serisë A, duke u shndërruar në një lojtar të rëndësishëm për Leçen.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare të futbollit, foli për mediat italiane pas barazimit 2-2 të ekipit të tij siguroi në transfertë ndaj Fiorentinës, teksa ndër të tjera u shpreh:
“Nuk e nisëm mirë pjesën e parë, duke pësuar një gol, por më pas reflektuam për gabimet tona dhe u përmirësuam. Më duhej të markoja Arturin dhe u mundova pak, por më pas dola kundër Bonaventurës dhe ishte më mirë.
Në futboll duhet të marrësh përgjegjësi çdo ditë, por unë erdha këtu për të lënë gjurmën time. Hjulmand ishte i rëndësishëm vitin e kaluar, por kjo është e kaluara, unë duhet të bëj më mirë që Leçe të qëndrojë në Serinë A.
Në Serie A ka një nivel tjetër në krahasim me Skocinë, por më ka trajnuar një italian dhe tashmë e di se çfarë mentaliteti ka këtu”, deklaroi Ramadani.