Paul Pogba zbriti në fushë për herë të parë me Juventusin në këtë sezon teksa francezi u aktivizua në pjesën e dytë në ndeshjen ndaj Bolognas që u mbyll në barazim 1-1. Pas takimit, mesfushori theksoi se ishte i zhgënjyer për pikët e lëna nga skuadra e tij ndërsa zbuloi edhe kërkesat e trajnerit Massimiliano Allegri në pushimin mes pjesëve.
“Jam i lumtur që rikthehem të bëj atë që dua më së shumti në këtë botë. Por, nga ana tjetër jam i zhgënjyer për rezultatin e skuadrës. Duhej të merrnim tre pikët, megjithatë të kënaqemi me faktin që nuk humbëm. E dimë mirë se duhet të punojmë më shumë. Në pjesën e dytë, trajneri Allegri na kërkoi të sulmonim më shumë. Kërkoi të shfrytëzonim krahët dhe në fakt nga një aksion i tillë erdhi dhe goli i Vlahovic.
Çfarë më mungon? Më mungon pak ritmi, stërvitjet. Edhe pse ndjehem shumë mirë fizikisht, dua të kthehem sërish në më të mirën time. Kam shumë uri, si në kohën kur isha më i ri. Dua të punoj, të luaj dhe të fitoj. Jam vetëm 30-vjeç, dua t’i dhuroj trofe dhe kënaqësi kësaj skuadre”, u shpreh Pogba.