Rayo Vallecano e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin në LaLiga, teksa skuadra ku aktivizohet edhe mbrojtësi i kombëtares, Ivan Balliu ka koleksionuar dy fitore, ndaj Almerias dhe Grandës. Për më tepër edhe pa pësuar asnjë gol. Por, në javën e tretë përgjegjësitë do të jenë edhe më të mëdha pasi në Vallecas mbërrin Atletico Madrid.
Megjithatë, në një intervistë për “Marca-n”, Balliu thekson se ai dhe shokët e tij nuk i frikësohen ekipit të Diego Simeones dhe janë të bindur se mund të marrin një tjetër rezultat pozitiv.
“Jemi shumë të lumtur për fillimin e kampionatit, sidomos për faktin se kemi mposhtur dy rivalë direktë si Almeria dhe Granada. Na janë larguar lojtarë të rëndësishëm në merkato, por kanë mbërritur të tjerë që janë përshtatur më së miri. Kemi shënuar katër gola dhe nuk kemi pësuar, shpresojmë që ta mbajmë sa më gjatë portën e paprekur.
Ndeshja me Atleticon? Duhet të qëndrojmë të përqëndruar, është ndeshja e parë në shtëpi para publikut tonë. Janë shitur të gjitha biletat, njerëzit kanë shumë dëshirë ta shohin skuadrën. Ne jemi shumë të bashkuar, skuadra qëndron bashkë gjithë kohën.
Organizojmë dreka dhe darka. Nga ana tjetër, ata kanë lojtarë të klasit botëror. Është Griezmann, Carrasco me të cilin do të kem një duel të gjatë. Në atë zonë afrohet edhe Lemar që të krijojnë superioritet numerik.
A është ky momenti më i mirë në karrierën time? Ndjehem shumë mirë fizikisht, kam besimin e trajnerit dhe të klubit. Ndjehem mirë dhe i vlerësuar këtu në Vallecas.
Kombëtarja? Kemi objektiv pjesëmarrjen në Europian, shpresoj t’ia dalim. Na presin dy ndeshje të rëndësishme tani në shtator, na duhet të fitojmë”, u shpreh Balliu.