Milani ka dalë kokulur pas derbit të djeshëm ndaj Interit, pasi humbja 5-1 lë pak vend për koment. Kuqezinjtë ishin dukshëm inferiorë ndaj zikaltërve në këtë sfidë dhe kjo qartësisht nuk ka lënë shije të mirë te tifozët, por edhe drejtuesit e skuadrës.
Ata kanë shkuar në dhomat e zhveshjes menjëherë pas sfidës, për t’i shprehur mbështetjen e tyre lojtarëve, siç shpjegoi trajneri Pioli para kamerave. Por situata nuk është aq e qetë sa e përshkruan trajneri, pasi humbja shumë e rëndë ka bërë që drejtuesit të shfaqen që në mëngjesin e sotëm në ambientet e klubit.
Ekip i është kthyer stërvitjes pa bërë ditë pushimi pasi të martën luan në Ligën e Kampioneve ndaj Njukasëll. Dhe ndërsa futbollistët ishin në fushën stërvitore, drejtuesit kanë takuar Piolin, duke kërkuar nga trajneri që të bënte analizën e plotë të shkaqeve të kësaj humbje që ka qenë një goditje e rëndë sidomos për imazhin fitues që po mundohen të krijojnë në klubin kuqezi.