Ballkani fillon sonte aventurën e dytë radhazi në grupet e Conference League. Kampionët e Kosovës, po bëjnë krenarë Therandën dhe gjithë tifozët shqiptarë me performancat e tyre europiane.
Edhe pse në skuadrën e Ilir Dajës nuk mungojnë largimet, stili i lojës është i njëjtë. Ballkani ka identitet, guxim dhe dëshirë për të sulmuar, luajtur bukur dhe fituar.
Lojtarët kanë krijuar eksperiencë dhe shpresojnë e besojnë se këtë sezon do të bëjnë edhe më mirë se vjet. Kur u shndërruan Ballkanin në skuadrën e parë të futbollit të Kosovës që mbërrin në grupet e një turneu europian.
Viktoria Plzen (Çeki) është pengesa e parë në grupin C, ku bëjnë pjesë Dinamo Zagreb (Kroaci) dhe Astana (Kazakistan).
Ballkani luan sonte (21:00) në Çeki me Plzen, në stadiumin “Doosan Arena”. Sfidë ku trajneri Ilir Daja nuk ka të gatshëm Lindon Emërllahun dhe Edi Maksutajn (të dëmtuar).
Plzen-Ballkani vjen live dhe ekskluzivisht në SuperSport 2. Kjo ndeshje do të gjykohet nga Damian Sylwestrzak, arbitri 31-vjeçar nga Polonia.