Teksa tifozët, mediat, por edhe skuadrat kishin nisur numërimin mbrapsht dhe po bënin përgatitjet e fundit për derbin e supozuar të ditës së nesërme, gjithçka anulohet.
Të shtunën Federata Shqiptare e Futbollit del me një njoftim zyrtar, ku njofton se Partizani, si organizator i ndeshjes, dhe Tirana kanë rënë dakord për të propozuar shtyrjen e ndeshjes dhe e kanë paraqitur kërkesën në FSHF, që ka vendosur t’u plotësojë dëshirën dhe ta skedulojë derbin për datën 19 tetor, një javë pas ndeshjes Shqipëri-Çeki dhe pesë ditë nga miqësorja me Bullgarinë.
“Organizimi i derbit të kryeqytetit dhe mbarëvajtja sa më e suksesshme e kësaj ndeshjeje ka mbledhur drejtuesit më të lartë të dy klubeve, përfaqësuesit e Policisë së Shtetit dhe drejtuesit e Departamentit të Garave në FSHF.
Partizani si organizator dhe klubi Tirana kanë bërë kërkesë që ndeshja Partizani-Tirana, e vlefshme për javën e gjashtë të Abissnet Superiore, e planifikuar për t’u luajtur më datë 26 shtator, të spostohet për datë 19 tetor 2023, që t’i japë mundësi tifozëve të shumtë të të dy klubeve ta ndjekin ndeshjen në stadiumin ‘Air Albania’”, shkruhet në njoftimin e federatës.
FUSHA E “AIR ALBANIA”-s – Në asnjë moment nuk është përmendur publikisht nga asnjëra palë arsyeja konkrete se përse derbi i kryeqytetit nuk luhet në “Air Albania” më 26 shtator, më shumë se dy javë para sfidës me Çekinë.
Por, gjithçka duket si kristali. Është e qartë se problemi është te fusha, e investuar aq shumë financiarisht dhe e mbetur si pika më e dobët e impiantit më modern në vend. FSHF-ja ka vendosur ta ruajë fushën dhe të mos lejojë asnjë të shkelë atje përpara ndeshjes me Çekinë.
PRAPASKENAT – Opsion potencial për të pritur derbin e parë të këtij sezoni ishte “Arena e Demave”, stadiumi 4000-vendësh i Partizanit.
Ka qenë Policia e Shtetit ajo që ka përjashtuar këtë pistë për shkak se me “gjeografinë” aktuale përreth impiantit, e ka të pamundur të garantojë sigurinë dhe të ndajë tifozëritë për të shmangur përplasjet.
Një tjetër opsion ka qenë “Elbasan Arena”, por asnjëri prej dy klubeve nuk ka qenë “tifoz” i kësaj ideje. E gjithë kjo ka sjellë shtyrjen e derbit të kryeqytetit vetëm tri ditë para. I pyetur nga gazeta në lidhje me arsyen e këtij vendimi, klubi i Partizanit i është përmbajtur njoftimit të FSHF-së, duke mos dhënë më shumë detaje.