Egnatia po konfirmohet gjithnjë e më tepër këtë sezon si një prej skuadrave që do të luftojë për titullin kampion. Lojtarët cilësorë që ka në përbërje, por edhe investimi i madh i klubit, logjikshëm ka shtuar ambiciet.
Pas gjashtë javëve kampionat, Egnatia kryeson renditjen dhe për presidentin Agim Demrozi skuadra është në rrugën e duhur drejt objektivave që ka. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, kreu i klubit foli dje për startin e sezonit, por jo vetëm.
Zoti Demrozi, e nisët kampionatin me humbje ndaj Skënderbeut, por më pas skuadra reagoi me 4 fitore dhe një barazim kundër Partizanit duke kryesuar renditjen. Ju kënaq ky start?
Është e vërtetë që e nisëm keq sezonin, edhe pse luajtëm shumë mirë kundër Skënderbeut, por ky është futbolli, sepse ka edhe surpriza. Sa për kryesimin, unë mendoj që kampionati është i gjatë, por ne do të luajmë shanset tona për të arritur objektivat që kemi.
Në merkaton e verës bëtë disa goditje me Aleksin, Xhemajlin dhe azerin Isgandarli, por u larguan edhe titullarë. Keni ndonjë peng nga periudha e transferimeve?
Jam munduar të afroj futbollist cilësorë, të cilët ne gjykojmë se do të bëjnë mirë. Bëmë shumë lëvizje në merkaton e verës, pasi patëm 4 largime. Megjithatë, mendoj se ia kemi dalë të minimizojmë hapësirat e krijuara dhe fakti që po kryesojmë, besoj se jemi në rrugën e mbarë. Sigurisht, kemi ende shumë për të bërë, pasi jemi vetëm në fillim.
Cili është lojtari që ju ka surprizuar deri më tani?
Nuk surprizohem nga askush, pasi të gjithë në skuadër mendoj se kanë cilësi dhe specifikat e tyre. Ajo që më gëzon është fakti se ekipi ka konkurrencë në çdo repart dhe gjithsecili po jep më të mirën nën urdhrat e trajnerit Tetova.
Cilën skuadër shikoni si rivale kryesore në luftën për titullin?
Të gjitha skuadrat janë të forta, si brenda dhe jashtë fushe. Këtë e tregojnë edhe rezultatet. Realisht është herët për të folur, por shikoj që ka shumë pak diferenca mes skuadrave. Edhe klubet e tjera janë përforcuar ndjeshëm në merkaton e verës.
Këtë sezon e keni si objektiv edhe Kupën e Shqipërisë apo besoni se do të luftoni deri në fund për titullin?
Ne do të mundohemi të dalim faqebardhë kudo ku luajmë. Objektivat tona janë maksimumi në çdo sfidë, për të qenë komod në arritjen e objektivave.
Duke parë kontingjentin e futbollistëve, besoni se mund t’ia dilni kështu apo në janar mund të bëni ndonjë goditje që ndoshta do të jetë si bonus në garën për titull?
Unë gjykoj se skuadra është e plotë, pasi kemi dublime në çdo pozicion të fushës. Në këto kushte, paraprakisht nuk kemi nevojë për afrime në merkaton e janarit. Gjithçka do t’ia lëmë kohës.