Vllaznia-Tirana, e vlefshme për javën e tetë të Kategorisë Superiore dhe e programuar për t’u luajtur më 7 tetor, nuk do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, pasi tapeti i këtij impianti do t’i nënshtrohet procesit të rimbjelljes.
“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta, se gjasat janë që Vllaznia-Tirana të zhvillohet të shtunën e 7 tetorit (ora 14:00) në stadiumin e Kukësit, aty ku shkodranët do të jenë pritës.
Fillimisht u hodh ideja e ndryshimit të fushave, siç ndodhi në kampionatin e vjetshëm dhe ky takim i fazës së parë të luhej në kryeqytet, por Vllaznia mësohet se ka vendosur të presë Tiranën në Kukës.
Sikur të mos mjaftonte stadiumi “Loro Boriçi”, Dinamo-Vllaznia do të jetë ndeshja e fundit që luhet në “Elbasan Arena”. Pas kësaj sfide stadiumi i Elbasanit mbyllet për një muaj, pasi do të mbillet fusha.