Broja tregon emocionet e rikthimit me gol: U çlirova, do ta bëj Poçetinon me dhimbje koke

Armando Broja u rikthye në fushë me shumë zhurmë, siç i takon një talenti të madh si ai, i cili dha një përgjigje të fortë jo vetëm për vetën, por edhe për Çelsin, që po kalon një moment shumë të vështirë.

359 ditë kishin kaluar nga ulërima e fundit e shqiptarit, ndonëse asnjëra nuk kishte qenë aq e bukur sa kjo e fundit ndaj Fulhamit, pas një dëmtimi të rëndë. Dhe natyrisht që riaftësimi i Armandos bën të lumtur jo vetëm trajnerin Poçetino, por edhe Silvinjon, i cili do të mund të mbështetet te bomberi kuqezi, për ndeshjen decizive për “Euro 2024”, më 12 tetor përballë Çekisë.

Armando, sa kohë kishit që e prisnit të çliroheshit kështu?

“Është një ndjenjë e pabesueshme dhe po, është e vërtetë që kishte kaluar shumë kohë. Kam qëndruar jashtë për një kohë shumë të gjatë dhe për mua ky rikthim ishte një çlirim. As që mund ta besoni se si mund të ndihem brenda vetes. Më duket sikur jam më në formë se kurrë, i rilindur dhe ishte bukur që të gjeja në ndeshjen e parë golin tim të parë për këtë sezon. Jam gjithashtu i lumtur pastaj për fitoren e skuadrës, e cila ishte edhe gjëja më e rëndësishme. Madje, këtë gol ua dedikoj të gjithë atyre që u kujdesën për mua në këtë periudhë. U jam mirënjohës.

Një gol në derbi, një fillim më shumë se i mbarë apo jo?

Po, është e mrekullueshme. Personalisht kam ëndërruar që fëmijë që të luaj në Premier Ligë dhe të shënoj sa më shumë gola të mundem. Është thjesht një ndjenjë e pabesueshme që të shënoj në ndeshjen time të parë dhe siç thatë ju, në një derbi të ndierë për ne.

Është ky një nga golat më të rëndësishëm të karrierës suaj?

Si sulmues, çdo gol që realizoj ka rëndësinë e vet. Një gol është gjithmonë një gol, një ndjesi e pabesueshme, por mbi të gjitha, të shënosh pas një periudhe aq të gjatë qëndrimi jashtë fushe, më shton më shumë vetëbesimin. Është një shtysë për të bërë më mirë në vazhdim. Dhe këtë nuk e kam vetëm për veten, por edhe për skuadrën, pasi morëm fitoren e dytë radhazi dhe tani dua që të nisim një seri pozitive.

Mund ta konfirmojmë se nuk keni asnjë dëmtim serioz?

Asnjë lëndim, vetëm një dalje paraprake, për të mos rrezikuar. Kam shumë kohë që jam jashtë dhe është normale që nuk mund të luaj menjëherë 90 minuta të plota. Ndoshta edhe nga dëshira bëra disa hapa më të gjatë sesa duheshin hedhur në fushë, kështu që më mirë të mos rrezikoja asgjë.

Sa gola i keni vënë objektiv vetes për këtë sezon, pasi të kapni formën më të mirë?

Aq sa të ndihmoj ekipin tim për të arritur objektivat që i ka vendosur vetes. Kjo është detyra ime si sulmues, të shënoj dhe dua që tani e në vazhdim t’ia shpërblej besimin e madh që Poçetino ka pasur tek unë.

Besoni se Poçetino ju vlerëson si titullar të Çelsit? A jeni gati për ta bërë këtë?

Unë duhet të jem gati sa herë që t’i nevojitem skuadrës. Detyra ime është që të ndihmoj Çelsin që të ngjitet aty ku i takon, por gjithmonë kur ta vendosë trajneri që duhet ndihma ime. I vetmi premtim që mund të bëj për të ardhmen është se do t’i shkaktoj shumë dhimbje koke Poçetinos tani e tutje, për të më vlerësuar si një alternativë të rëndësishme të skuadrës. Më zgjedh apo jo, unë do të vazhdoj të punoj me kokën lart, pasi dua që ta meritoj gjithmonë vendin si titullar.

Mbeteni në vështirësi, pavarësisht dy fitoreve. Besoni se do të dilni nga ky moment?

Besojmë te grupi ynë dhe besojmë te trajneri ynë. Poçetino është një trajner i klasit botëror, kemi një tifozëri të mrekullueshme dhe këto të dyja duhet të jenë armët tona më të forta, që të shtyjmë Çelsin sa më lart që të jetë e mundur. Dhe unë jam gati ta ndihmoj gjithmonë. Tani kemi edhe një ndeshje tjetër përpara pauzës së kombëtareve dhe detyra jonë është që ta fitojmë atë, përpara se të përqendrohemi te eliminatoret për Europianin në Gjermani, në verën e ardhshme. Unë kam besim se Çelsi i ka të gjitha potencialet që të arrijë aty ku i takon, duhet vetëm të gjejmë mekanizmat e duhur dhe për atë po punojmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top