Rebelohet mbrojtësi i Bajernit, Juventusi dhe Barcelona në garë për ta joshur

Te Bajerni ka një çështje “De Ligt”. Nga një titullar i padiskutueshëm në sezonin e kaluar, holandezi ka përfunduar jashtë planeve të trajnerit Tomas Tuhel.

Gjermani e ka lënë në stol mbrojtësin, i cili numëron 127 minuta të luajtura. Një situatë e pazakontë për mbrojtësin, për të cilin Bajerni shpenzoi miliona të shumta për ta marrë nga Juventusi vitin e kaluar. Por tani ai ka përfunduar në stol dhe kjo gjë nuk i ka pëlqyer shumë. Siç raportojnë mediat gjermane, De Ligt ia ka shprehur një gjë të tillë vetë trajnerit Tuhel, duke i kërkuar llogari për situatën e tij dhe aktivizimin e paktë.

Jo vetëm kaq, por kjo situatë ka bërë që klube të tjerë të ndjekin me interes zhvillimet në Gjermani dhe gati të joshin holandezin. Siç bëjnë me dije mediat gjermane, por dhe ato italiane, ish-skuadra e tij, Juventusi dhe Barcelona janë gati t’i ofrojnë një mundësi, që nënkupton një vend titullari mbrojtësit 23-vjeçar. Juventusi është shfaqur i pari në horizont për shërbimet e holandezit. Bardhezinjtë janë gati ta afrojnë në formë huazimi lojtarin nëse do të gjejnë gjuhën e përbashkët me gjigantët bavarezë.

Juventusi është një mundësi konkrete për De Ligtin, duke qenë se ai ka qenë pjesë e bardhezinjve dhe e njeh mjaft mirë ambientin në Torino. Por Juventusi nuk është i vetëm në garë, sepse dhe Barcelona është gati t’i bëjë një vend në ekipin e Ksavit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top