Eraldo Çinari fiton “gjyqin e jetës”. “Panorama Sport” mëson se ish-sulmuesi i Partizanit ka arritur të dalë fitues në betejën ligjore me klubin e Samsunsporit, ku u transferua pas aventurës me Partizanin.
FIFA ka publikuar së fundmi njoftimin në lidhje me çështjen e 26-vjeçarit nga Shkodra, me klubin turk, që duhet t’i paguajë atij plot 373.5 mijë euro, që konsiston me pagat e prapambetura dhe me dëmshpërblimin për shkelje pa shkak të kontratës.
Kështu, Çinari arrin të sigurojë një shifër mjaft të madhe për nivelet tona dhe të dalë i fituar, pas shumë vuajtjesh. Duhet thënë se periudha e sulmuesit të Shkëndijës në Turqi ka qenë shumë e vështirë.
Samsunspori e nxori menjëherë jashtë planeve dhe për rreth një vit e gjysmë Çinari qëndroi jashtë ekipit të Samsunsporit, derisa klubi vendosi t’i ndërpresë kontratën.
Tashmë gjithçka ka përfunduar dhe sulmuesi shkodran po shkëlqen te Shkëndija, ku është kthyer në kohët e arta. Ai kishte rol kyç në sezonin e shkuar. Në këtë sezon në kampionat, në tetë ndeshje ka shënuar dy gola.