Partizani vijon të jetë një skuadër me lu hatje, pavarësisht forcës së madhe që mbart në organikën e saj. I këtij mendimi është Ardit Beqiri, ishkapiten i Partizanit dhe ish-mbrojtës i Kombëtares. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ishmbrojtësi i djathtë ka analizuar startin e sezonit të të kuqve, si dhe ka komentuar për mundësinë e largimit të Zekiçit. Beqiri flet edhe në lidhje me Taipin, Koçijanin apo Grezdën, afrime me mjaft bujë të të kuqve.
Si ju duket Partizani në këtë fillimsezoni?
I fortë në momente të caktuara, çka tregon se ka shumë potencial brenda, por jo stabël. Nuk e mban ritmin gjithë kohës, ka shfaqur oshilacione herë pas here. Pikë referimi për forcën e skuadrës janë pjesa e parë me BATE Borisovin në Tiranë dhe 90 minutat e ndeshjes së kthimit ndaj Astanës. Në këto ndeshje, pavarësisht se nuk i mori më të mirën, Partizani ka treguar se mund të jetë superior ndaj cilitdo rival, përfshirë edhe emra të nivelit kaq të lartë.
Çfarë mendoni se ka çaluar në këto javë kampionati te Partizani? Çfarë ka ndryshuar nga vjet?
Ky Partizan është ndryshe nga vjet, kur ishte shumë më aktiv përpara dhe shfaqej argëtues, por linte hapësira pas. Më duket më tepër i orientuar tek ekuilibrat. Jo se shkon i frenuar përpara, por nuk e ka si element primar ofensivën. Kërkon ekuilibër dhe kjo vjen edhe prej faktit se përpara ka cilësi dhe nivel. Mendon se në një moment apo një tjetër, ndeshja do të fitohet. Dhe faktikisht kështu ka ndodhur. Ajo që ka çaluar është pjesa mbrapa, sepse i kemi parë edhe në Europë që të bëhen gabimet e vjetshme. Këtë vit duket sikur është një ekip i mbledhur, që nuk rrezikon aq shumë, por golat po i pëson njësoj. Arsyeja mund të jetë, sepse mbrapa ndoshta nuk janë gjetur njerëzit e duhur në verë ose është një moment “jo” i mbrojtjes. Nuk e di çfarë emri t’i vendos.
Si ju duket Zekiçi, mund ta drejtojë Partizanin sërish drejt titullit?
E drejton. Me këtë ekip që ka Partizani, po. Jo vetëm ai, por kushdo që do të ishte, me këtë ekip që ka Partizani, është për titull. Padyshim, përderisa drejtuesit e kanë zgjedhur, e njohin shumë mirë dhe i dinë aftësitë e tij.