Asnjë dëmtim, vetëm një masë para prake se kam munguar për shumë kohë”. Shumë rrallë ka një azhurnim kaq të shpejtë nga vetë futbollisti për një dëmtim që po mbante në ankth tifozët e Çelsit, por më shumë akoma ata të Kombëtares shqiptare në prag të sfidës delikate me Çekinë më 12 tetor.
Por Armando Broja i qetësoi shpejt të gjithë, vetëm pak minuta pasi kishte shënuar në “Craven Cottage” të hënën dhe ishte larguar në minutën e 65-të nga fusha me dhimbje muskulore dhe me fizioterapistin në krah, duke i lënë të tifozët të mendojnë “ja ku jemi përsëri”.
Në ato 65 minuta kundër Fulhamit, në ndeshjen e tij të parë titullar që prej dëmtimit të ligamentit të gjurit në miqësoren kundër Aston Vilës në dhjetor (pas 11 minutave kundër Aston Vilës dhe minutazhit të papërfillshëm ndaj Brajtonit), 22- vjeçari e luajti rolin e tij në perfeksion. Broja (26) e preku topin më shumë herë nga titullarët e Çelsit, duke kryer dy driblime dhe ishte gjithnjë kërcënim për mbrojtjen rivale.
Qershia mbi tortë ishte goli, që është edhe një dhimbje koke për trajnerin Poçetino, që për ndeshjen e radhës kundër Bërnlejt i rikthehet i pezulluari Nikolas Xhekson.
“I takon trajnerit të vendosë se cili do të luajë. Detyra ime është të zbres në fushë dhe ndihmoj skuadrën sa më shumë që të mundem. Nëse ai më aktivizon titullar do të përpiqem të bëj më të mirën për të shënuar. Nëse nuk e bën, atëherë duhet të mbaj kokën poshtë dhe të vazhdoj të punoj dhe provoj t’i shkaktoj dhimbje koke”. Pezullimi i senegalezit erdhi në momentin më të keq të mundshëm, ndërsa ai sapo kishte shënuar kundër Brajtonit në Kupën Karabao. Por ajo që e shton më shumë presionin mbi të është opsioni “Broja”.
Xhekson ka shënuar vetëm 1 gol në 6 ndeshje në Premier Ligë deri tani, po aq sa edhe Broja dhe tani trajneri argjentinas duhet të marrë një vendim? Kë duhet të startojë në ndeshjen e fundit përpara pushimit të kombëtareve? Është një dhimbje koke që e pranon me kënaqësi duke parë krizën e skuadrës në sulm.
Broja i sjell forcë dhe vrull sulmit të tij, por nuk është ende në 100% të forcës pas mungesës së gjatë dhe nuk i ka sigurisht akoma 90 minuta në këmbë. Xhekson ofron më shumë shpejtësi përpara porte, por finalizimi i tij është një problem dhe një ngërç me vetëbesimin. Por Broja ka edhe një armë më shumë, ai nuk është sulmuesi i mirëfilltë 9 dhe mund të vijë nga krahu, ashtu siç ndodhi në ndeshjen e fundit që sërish titullar ishte Palmer dhe Broja luajti në vend të Sterlingut.
Çelsi luan edhe transfertën e kësaj fundjave ndaj një skuadre si Bërnlej, e cila ushtron lart presing dhe markon një kundra një. Dhe avantazhi i Brojës është se ai është perfekt për të tillë kundërshtarë. Nëse Poçetino i jep edhe njëherë shansin dhe nuk ka përse të mos e bëjë, ky do të ishte hapi i dytë vendimtar për ta rikthyer Brojën në versionin më të mirë të mundshëm për të gjithë atë presion, ndeshjen e 12 tetorit.