“Jam një zombi”, Haland u vë syrin 260 golave të Shirerit: Dua ta thyej atë rekord

Erling Haland provokon se ai mund të eklipsojë rekordin e golave të Alan Shirerit në Premier Ligë përpara se marrëveshja e tij aktuale me Mançester Sitin të përfundojë në vitin 2027. 23-vjeçari shijoi një sezon debutues plot rekorde në Angli, duke shënuar 52 gola në të gjitha kompeticionet dhe duke fituar tripletën. Ai vendosi rekordin e ri në Premier Ligë, duke shënuar 36 herë dhe thyer rekordin e vendosur nga Shirer dhe Endi Kol në shtatë ndeshje më pak.

Këtyre u shtohen edhe 8 golat e këtij sezoni që e kanë dërguar totalin në 44 nga 42 ndeshje. Shirer ka shënuar 260 gola në total, por i pyetur gjatë një interviste për “The Telegraph” nëse ai do të tentojë të thyejë rekordin absolut të ish-sulmuesit të Njukasëllit, norvegjezi tha me humor: “Kur përfundon kontrata ime? Kanë ngelur tri vjet e 10 muaj? Pra, ka ende kohë për ta bërë atë, apo jo?”.

Sulmuesi i Sitit më pas u bë serioz: “Kjo është diçka që nuk mund ta mendosh. Duhet të mendosh për ndeshjen e radhës, sezonin, dhe më pas këto gjëra vijnë pas një kohe. Por nëse do të jem edhe 15 vite të tjera në Angli, atëherë pse jo? Do ta shohim”.

Mesatarja e Halandit prej më shumë se një goli për ndeshje sigurisht që do t’i japë ekspertit të “BBC”-së shansin për ta gëzuar edhe për disa vite rekordin e tij pas largimit të Herri Kejnit drejt Bajernit në verë. Ishsulmuesi i Totenhmit është golashënuesi i dytë më i mirë i historisë së Premier Ligës me 213 gola.

Haland shton se loja e tij është përmirësuar ndjeshëm nën drejtimin e Pep Guardiolës, për të cilin ai zbuloi se i kishte premtuar se do ta bënte copash nëse nuk ishte i fokusuar në stërvitje pas transferimit në “Etihad”. Ai vlerëson se intensiteti i menaxherit kur është në fushë është vendimtar për suksesin e ekipit.

“Kështu është ai dhe Siti si skuadër dhe si klub. Kjo është arsyeja pse ata kanë qenë kaq të suksesshëm. Presioni është atje. Shikoni presionin që kemi çdo ditë si klub, si ekip, si individë. Por duhet të përqendroheni në një orë që kemi stërvitje çdo ditë dhe pjesën tjetër të ditës të relaksohemi, të mos mendojmë për futbollin, të mos mendojmë për asgjë. Unë mendoj se kjo është një pjesë e madhe e arsyes pse është kaq klub i suksesshëm këtu, me të gjithë stafin. Pas stërvitjes, mos mendoni më për futbollin. Ju mendoni dhe përmirësoheni në fushë. Kur jeni në fushë, përqendrohuni. Kjo është ajo që kërkon Pep”.

Përqendrim dhe transformim thotë Haland, i cili zbulon sekretin e tij: “Gjatë ndeshjeve, njerëzit normalisht më kritikojnë se nuk prek topin. Unë mund të tërhiqem dhe ta prek topin disa herë, por jam thjesht duke ardhur vërdallë dhe lëvizur në botën time që është e vështirë ta shpjegosh. Unë dal nga trupi im dhe shndërrohem në një zombi. Vij vërdallë dhe pres për shansin tim. Dhe kur ai vjen, unë e di që duhet të jem gati. Unë vrapoj dhe skanoj, vetëm skanoj. Pres shansin dhe nëse topi më vjen, e shfrytëzoj. Pres momentin tim”.

Në sezonin e tij të parë ai fitoi tripletën dhe synon që ta përsërisë këtë sukses edhe këtë sezon: “Momenti më i bukur në karrierë? Ishte 30 sekonda pasi arbitri i ra bilbilit për herë të fundit në finalen e Stambollit. Nuk e di, shpresoj që ta përjetoj përsëri këtë ndjesi në jetën time. Ishte ndjesia më e bukur që kam pasur. Ishte e pavërtetë. Edhe sot në orën 8:15 u zgjova me zilen e Champions-it. Është alarmi im prej shumë vitesh dhe ende më emocionon. Për mua është e qartë. Ëndrra më e madhe tani është të fitoj sërish tripletën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top