EURO 2024 kthehet përsëri këtë javë në fokus, me ndeshjet kualifikuese që shohin të zbresë në fushë edhe Shqipërinë për sfidën e saj me Çekinë. Dhe këtë të enjte, në Grupin E ku bëjnë pjesë edhe kuqezinjtë, mund të dalë verdikti i parë zyrtar.
Nuk bëhet fjalë për kualifikimin, pasi asnjë skuadër nuk mund të kualifikohet në EURO 2024 pas dy ndeshjeve që luhen këtë mesjavë, Shqipëri-Çeki dhe Ishuj Faroe-Poloni. Në lojë në këtë rast, do të jetë fati i vendit të vogël nordik.
Në një grup me një rivalitet të pazakontë që sheh aktualisht të katër skuadrat në garë me shanse reale për kualifikimin, janë Ishujt Faroe ata që mund ta shohin që të enjten veten zyrtarisht jashtë turneut.
Sipas llogarive, ishullorët e mbyllin me EURO 2024 nëse ata munden nga Polonia, nëse fiton Çekia në Tiranë, apo nëse të dy ndeshjet mbyllen në barazim, me matematikën që do i bënte “spektatorë të painteresuar” në ndeshjet e mbetura, të fundit pikërisht me Shqipërinë.