Ekskluzive/ “Kombëtarja më e mirë”, ish-mesfushori Murati: Një bravo Silvinjos, për Asanin po pranohet…

Edvin Murati mendon se kjo është Kombëtarja më e mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Ish-mesfushori kuqezi në vitet 1998-2006, është i befasuar nga mënyra se si trajneri Silvinjo po udhëheq këtë grup lojtarësh, teksa sipas tij po e bën më mirë se Xhani de Biazi, me të cilin Shqipëria u kualifikua për herë të parë në Europian. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, 47-vjeçari që dikur ka luajtur për PSGnë në Francë, analizoi ecurinë e Kombëtares dhe atë që i ka bërë më tepër përshtypje në ndeshjet e fundit.

I njohur me nofkën “Lusha”, ish-mesfushori i majtë nuk ngurron të bëjë batuta për të kaluarën e tij si kuqezi, ndërsa i jep të drejtë Altin Rrakllit sa i përket standardit që ka arritur kjo Kombëtare. Murati evidenton edhe stolin shumë të fortë që ka aktualisht Shqipëria dhe faktin që Broja dhe Uzuni kanë humbur vendin me Silvinjon trajner.

Edvin, çfarë ju pëlqen më shumë te kjo Kombëtare?

Është fryma pozitive në ekip që trajneri Silvinjo ka futur dhe që konfirmohet te çdo lojtar në fushë. Unë shikoj me kënaqësi që çdo futbollist, i cili ka luajtur, nuk ka shfaqur ego individuale, por ka dhënë në fushë për skuadrën. Më duket një Kombëtare shumë e mbledhur dhe në harmoni të plotë. Këtë e konfirmojnë edhe ata që nuk luajnë, sepse janë të gjithë bashkë që skuadra të ecë mirë. Për këtë meriton një bravo të madhe trajneri Silvinjo, sepse po bën atë që bëri dikur De Biazi, por me ndryshimin që braziliani po e bën akoma më mirë.

Cili nga lojtarët ju ka befasuar më shumë në këtë ecuri fantastike?

Pa diskutim sulmuesit. Dikur kemi vuajtur shumë, ndërsa tani i kemi me bollëk. U projektua një Kombëtare që mendohej se do të kishte Brojën dhe Uzunin në sulm, por tani ata nuk kanë humbur vendin, pasi po luajnë shumë mirë të tjerë lojtarë. Asani, me ato goditjet precize po bën jashtëzakonisht mirë, gjithashtu Seferi po jep maksimumin e tij, ndërsa edhe Cikalleshi po bën lojën që kërkon trajneri. Edhe kur zëvendësohen, futet Daku dhe bën gjithçka mirë. Çfarë të them, jam i befasuar, sepse Kombëtarja jonë nuk ka pasur kurrë kaq shumë sulmues rezultativë. Për të mos folur për dyshen mbrapa, që e kemi të fortë.

Kemi skuadër më të fortë tani apo kur u kualifikuam për herë të parë në Europianin e Francës?

Më të fortë tani, pa diskutim.

Më mirë De Biazi apo Silvinjo?

Më mirë Silvinjo. Duhet të jemi pak realistë, sepse Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë e para në grup. Rezultatet e tregojnë vetë dhe Silvinjo është më mirë nga të gjithë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top