Statistika historike/ Shqipëria bën 100 fitore, ja pse miqësorja me Bullgarinë ishte e veçantë

Spektakli kuqezi vazhdon! Shqipëria bën 100 fitore në historinë e saj si Kombëtare, pikërisht në ditën kur thyen Bullgarinë pas plot 73 vitesh. Një tetor rekordesh, i mbyllur dje me miqësoren e fituar 2-0, në një 90-minutësh që foli vetëm për të besuarit e Silvinjos, të cilët argëtuan rreth 15 mijë tifozë në stadiumin “Air Albania”.

Vetëm 5 ditë pasi likuiduan Çekinë në ndeshjen eliminatore dhe hodhën një hap të sigurt drejt kualifikimit, kuqezinjtë dominuam totalisht Bullgarinë, ndaj së cilës kishim fituar për herë të fundit me shifrat 2-1 më 4 qershor 1950.

Ishte koha kur legjenda e futbollit shqiptar, Loro Boriçi dhe ish-sulmuesi Vasif Biçaku, shënonin për Shqipërinë, ndërsa e marta e 17 tetorit 2023 u vulos nga Qazim Laçi dhe Ernest Muçi, me këtë të fundit që u bë protagonist i një supergoli me goditje nga jashtë zone.

Por, koincidenca e shifrave bëri që pikërisht dje të festonim fitoren e 100-të në histori si Kombëtare. Në 373 ndeshje zyrtare, që nisin nga viti 1946 dhe deri më tani, Shqipëria ka regjistruar 100 fitore, 78 barazime dhe 195 humbje, me një golavarazh në total që shkon në 347 gola të shënuar dhe 567 të pësuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top