Ekskluzive/ “Prosineçkin e kam thjesht mik”, presidenti Demi pas fitores në derbi: E merituam, kemi ekip të fortë

Partizani erdhi në derbi plot me halle, por në fushë u shfaq në versionin e një përbindëshi “të uritur” për triumfin e radhës në derbi.

Në fund ia doli në një ndeshje të fituar me numra, por edhe për atë që skuadra dha në fushë, ku atletikisht dhe taktikisht arriti të dominojë Tiranën. Pas ndeshjes, “Panorama Sport” arriti të sigurojë një prononcim të presidentit të kuq, Gazment Demi. Ai është i kënaqur me fitoren, por si gjithnjë, e konsideron si ndeshje të radhës dhe si një gëzim që u përket më së shumti tifozëve. Në lidhje me Prosineçkin, ai u shpreh se ka marrëdhënie miqësore dhe ka ardhur me këtë qëllim. Nuk munguan as dy fjalë për Zekiçin, për të cilin Demi tregon se janë ende shokë.

Një fitore pas largimit të trajnerit, por edhe me shumë mungesa. Çfarë tregoi ndeshja e sotme?

E merituam fitoren. Është një ndeshje radhe, nuk përbën ndonjë çudi të madhe. Është një festë për tifozët. Ne kemi pasur mungesa që në Europë, por stafi nuk është ankuar asnjëherë. Kjo tregon që stafi im ka bërë një ekip të mirë dhe shpresoj që skuadra të jetë edhe më e fortë gjithë kohës. Të mos bëhemi euforikë me një ndeshje. Derbi është derbi, më shumë është një gëzim për tifozët.

Prosineçki ishte në stadium sot. Është thjesht një alternativë apo jeni drejt marrëveshjes me të?

Prosineçki është një mik imi. Ka ardhur thjesht për të parë ndeshjen. Kemi qenë thjesht për qejf, bisedë. Trajnerin ju e patë sot, Arbër Abilaliaj e drejtoi shumë mirë. Kështu që ai është drejtor sportiv, por edhe trajner për momentin.

Edhe sa do të vazhdojë kështu?

Këtë e di vetë Arbri, ai është kryesori i kësaj pune.

Zekiçi tha se mbeteni shokë edhe pas largimit. Ekziston i njëjti qëndrim edhe nga ana juaj?

Patjetër që shokë jemi. Nuk kemi asnjë problem.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top