EKSKLUZIVE/ “Ju tregoj sekretet e Interit”, rrëfimi i drejtorit sportiv zikaltër nga Tirana: Sakrifikuam Bonuçin, por…

Drejtori sportiv i Interit, Piero Auzilio, ishte në Tiranë pak javë më parë si i ftuar në ceremoninë e diplomimit në kursin për Drejtor Sportiv në FSHF. Por, Auzilio ndoqi nga afër edhe ndeshjen Shqipëri-Çeki që përfundoi me triumfin e kuqezinjve dhe shumë pak e dinin që ai kishte futur në rreth edhe Ylber Ramadanin.

Panorama Sport ka ruajtur një deklaratë të tij jashtë “kamerave”, të cilën kishte vendosur ta publikonte gjatë kësaj periudhe dhe ku ka ditë më të mirë sesa kjo, kur zbulohet lajmi që Interi po ndjek dhe mund të afrojë një tjetër xhevahir të Kombëtares pas Kristjan Asllanit. Pyetjet janë bërë nga Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea.

Si arritët të bëheshit drejtori sportiv i një klubi si Interi?

Nuk e kam nisur menjëherë si drejtor sportiv, po si ndihmëstrajner tek ekipi ku luaja dhe e mbylla me futbollin për shkak të disa dëmtimeve të rënda. Ishte Pro Sesto, në Kategorinë e Tretë. Doja të bëja trajnerin, kështu që takova presidentin e kësaj skuadre, një person që më ndryshoi jetën. Fillova të merrem më shumë me merkaton, me marrëdhëniet e lojtarëve dhe pas disa vitesh mund ta quaja veten një menaxher në 360 gradë.
Në 1998, hyj tek Interi, isha pak a shumë 25 vjeç, shumë i ri dhe jo menjëherë në ekipin e parë, por si sekretar i sektorit të të rinjve. Më pas menaxher i ekipit dhe në 2014 kalova në postin e drejtorit sportiv të klubit. E gjithë kjo eksperiencë e ndryshme nga njëra-tjetra, më ka mësuar shumë punë të ndryshme.
Të punojë në sektorin e të rinjve ishte një fat i madh, të jep një ndjesi të veçantë. Të zbulosh një talent dhe ta ndjekësh atë derisa ta rritësh. Të jep lumturi, nuk paguhesh menjëherë, por më vonë ndihesh i kënaqur ku ai bën një kontratë si profesionist.

Kalimi nga të rinjtë tek ekipi i parë i Interit, si janë shanset për ata lojtarë?

Përgjegjësia e dikujt që merret me të rinjtë është që të shohë një futbollist të ri që të rritet dhe të kapë skuadrën e parë. Ky është maksimumi i objektivit, por në realitet jo gjithmonë mund të arrihet. Kur flasim për klube të mëdha si Interi që duhet të fitojnë, është shumë e vështirë që të kalojë një futbollist nga të rinjtë në skuadrën e parë.

Shumë pak ia kanë dalë ta arrijnë direkt, si Baloteli, Santon, Di Marko, edhe pse ka pasur një periudhë huazimi, është rritur te ne. Në futbollin italian këto vite kemi bërë shumë punë me të rinjtë, që ndoshta një pjesë janë sakrifikuar edhe për lojtarë më të rëndësishëm.

Ndonjë shembull?

Po ju them një rast që vlen për të gjithë. Në 2009-2010, në vitin e tripletës, viti më i rëndësishëm në historinë e Interit, do të blinim Tiago Motën dhe Militon. Xhenoa i vlerësonte për një vlerë 40 milionë euro, sot duken pak për vlerat e dy futbollistëve dhe Morati na tha që nuk shpenzoj dot më shumë se 20 milionë euro dhe shikoni mundësinë për të përfshirë edhe ndonjë lojtar për të arritur marrëveshjen.

Në fund, gjetëm një zgjidhje dhe dërguam Bonuçin dhe kur humbet një lojtar si ai që më vonë u bë kapiten i Juventusit dhe kombëtares italiane dhe që ka bërë një karrierë të madhe e ti e ke sakrifikuar për 5 milionë euro, por edhe lojtarë të tjerë si Pexhorini, Akuafreska për të plotësuar ato 20 milionë që mungonin. Humbëm disa të rinj, por në fund të vitit fituam “Tripletën” dhe të gjithë ishin të lumtur, të kënaqur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top