UEFA do të bëhet pjesë e organizimit të “Topit të Artë” 2024 së bashku me “France Football”. Lajmi është bërë i ditur nga vetë UEFA përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në postim shkruhet se “France Football” do të mbetet “pronare” e brandit “Topit i Artë” dhe do të përkujdeset për pikët që jepen duke ruajtur kështu pavarësinë e saj. Gjithashtu UEFA zbulon se do t’i shtohen edhe dy çmime të tjera që kanë të bëjnë me trajnerin dhe trajneren më të mirë të vitit.
Ndërkaq, nuk do të lëvizin çmimet e deritanishme si Topi i Artë për meshkuj dhe femra, Trofeu Kopa, Trofeu Yashin, Trofeu Gerd Muller, Skuadra e Viti për meshkuj dhe femra si dhe Trofeu Socrates.
Rikujtojmë që “Topi i Artë” është një organizim i prestigjiozes “France Football” që prej vitit 1956, një trofe që i jepet nëpërmjet votave të gazetarëve, trajnerëve dhe kapitenëve, lojtarit më të talentuar dhe që ka arritjet më të mëdha gjatë një sezoni.