Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin që ditën e djeshme, ndërsa ndër lojtarët e parë që ka mbërritur në Tiranë është Jasir Asani. Anësori që luan në Korenë e Jugut të shtunën ishte për 84 minuta në fushë me skuadrën e tij Guangju.
Një rrugë e gjatë për futbollistin, i cili pasi lajmëruan mbërritjen me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku shihet për një seancë rikuperimi në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, aty ku do të zhvillohen edhe përgatitjet.
Një pjesë e mirë e lojtarëve kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme, ndërkohë grupi pritet që të kompletohet sot, pasi të gjithë futbollistët e thirrur të kenë përfunduar impenjimet me ekipet respektive.
Edhe pse sot do të jetë stërvitja e parë, për shumë prej lojtarëve do të jetë një seancë tepër e lehtë pasi kanë qenë në fushë me klubet e tyre dhe kanë marrë një ngarkesë të lartë. Por, jo të gjithë pasi ka edhe disa që kanë qëndruar në stol dhe ngarkesa për ta do të jetë pak më e lartë.
Deri tani fatmirësisht nuk ka asnjë shqetësim nga ana e futbollistëve dhe grupi pritet të jetë i plotë. Ndërsa para stërvitjes së sotme, në orën 13:00 do të zhvillohet edhe një konferencë për shtyp me dy lojtarë të Kombëtares.