A do jetë apo jo Armando Broja pjesë e Kombëtares shqiptare në EURO 2024 meqë nuk mori pjesë në ndeshjet kualifikuese? Kjo është pyetja që bëjnë shumë tifozë të cilët duna të shohin sulmuesin e talentuar në arenat më të rëndësishëm me fanellën kuqezi.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka lëshuar një mesazh në distancë për trajnerin Silvinjo teksa ka deklaruar se Shqipëria nuk ka luksin që të humbasë futbollistë të këtij niveli e potenciali.
“Broja është një talent që nuk na vjen shpesh në Shqipëri. Ne nuk jemi vendi i prodhimit maksimal të talenteve dhe nuk kemi luksin të shpërdorojmë një të tillë. Ai është vërtet një talent i madh. Mos kontributi i tij në këto eliminatore nuk ka ardhur për fajin e tij, por fatkeqësisht për shkak të dëmtimit”, deklaroi ai për RTSH.
“Kjo mungesë ia vështirëson punën Brojës edhe në të ardhmen sepse e para e ka sfidën me veten e vet, me shëndetin që ta kalojë problemin dhe të eci përpara. E dyta që të bashkohet dhe të jetë organik me një skuadër që tashmë është vërtet një grup shumë i mirë.
Unë kam besim se një talent, një profesionist si ai, do ta gjejë mënyrën si të gërshetohet mirë me skuadrën. Por e ripërsëris, ne nuk kemi luksin që të shpërdorojmë një talent si Armando Broja”, deklaroi Duka pas ndeshjes së mbrëmshme.