Kenan Jilldëz është etiketuar në radhët e tifozëve bardhezi si Alesandro Del Piero i ri. Shpresat rreth talentit turk 18-vjeçar, i cili menjëherë pas ndeshjes së parë si titullar ka merituar disa ndeshje radhazi nga minuta e parë, janë shumë të mëdha dhe pa dyshim që ai e ka shpërblyer totalisht besimin e trajnerit Masimiliano Alegri.
Madje, ky i fundit ka aq shumë vlerësim për Jilldëzin, sa e ka preferuar numrin 15 të Juventusit shpeshherë edhe përpara Federiko Kiezës dhe një kompliment më të madh sesa ky nuk ka. Por ndërkohë, duket qartë se Kenan ka qenë e shkruar që të bëhet një lojtar i madh, sepse talentin e tij e kanë vënë re që në moshë shumë të vogël, por edhe ai vetë i ka pasur idetë e qartë se ku kërkon të arrijë dhe siç nënvizon Alegri, ai vetëm mund të përmirësohet në vazhdim.
Për Jilldëzin dihet shumë pak përveç faktit se ai për t’u transferuar në Torino hoqi dorë dhe refuzoi mundësinë për të rinovuar me Bajernin e Mynihut. Prandaj, “Gazzetta dello Sport” ka gërmuar disi thellë për të sjellë në vëmendje 5 fakte që nuk diheshin për fantazistin turk.
YLL I LINDUR – Që ai po punon për t’u bërë një yll kjo kuptohet dhe ndoshta shumë e vlerësojnë që tani të tillë, por çfarë është më e bukura, këtë “objektiv” ai e mban të stampuar në shpinë, duke qenë se Jilldëz përkthehet pikërisht “yll”. Ai ka lindur në Regensburg të Gjermanisë, por në venat e tij rrjedh gjak turk. Pavarësisht se ai e kultivoi talentin e tij në Gjermani, Jilldëz vendosi të mos tradhtojë rrënjët e tij dhe zgjodhi të përfaqësojë Kombëtaren e Turqisë, duke refuzuar të gjitha ftesat nga ana e “pancerave”.
“ADIDAS” E DINTE – Gjiganti i veshjeve sportive gjermane, “Adidas”, e kuptoi që në fillim se Kenan do të bëhej një lojtar i madh dhe e vuri nën kontratë që në moshën 10-vjeçare, duke e bërë turkun lojtarin më të ri në histori që firmos një kontratë sponsorizimi të të tilla përmasave. Por ky është viti i fundit i kontratës me “Adidas” dhe “Nike” dhe jo vetëm, që sponsorizon edhe kombëtaren turke është hedhur menjëherë në sulm me shumë miliona për ta bërë të vetin.
BAJERNI – Jilldëz i bashkohet Bajernit që në moshën 7-vjeçare, ku do të qëndrojë për 10 vite, përpara se të kalojë te Juvja. Babai i tij ishte shoferi i klubit dhe kjo i lejonte që ai të mos e linte kurrë vetën nëpër udhëtime të birin. Dhe një ndër shokët e pa ndarë në këtë aventurë ishte futbollisti me origjinën shqiptare, Arjon Ibrahimoviç.
SOZIA E OZILIT – Për nga pamja fizike, Jilldëz është krahasuar me Mesut Ozilin, i cili është edhe një prej idhujve të tij, ndonëse më i madh është një juventin. Vetë Kenan ka deklaruar së fundmi se është rritur me posterin e Alesandro Del Pieros në dhomë dhe jo më kot tani e shohin atë si një Del Pieron të ri në Torino.
MË I KËRKUARI – Në nëntor të vitit 2023 ishte emri i tretë më i kërkuar në uebsajtin e “transfermarkt”. Mbi të vetëm emrat e Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos.