“Sylvinho më takonte vazhdimisht dhe më dha dorën në një moment të vështirë”, Broja flet pa “doreza”: Rikthimi ishte emocionues, Euro 2024 një “ëndërr” e bërë realitet

Armando Broja pritet të jetë një nga protagonistët e Shqipërisë në kampionatin Europian. Sulmuesi i kombëtares ka dhënë  një intervistë të gjatë për “The Athletic”, ku ka rrëfyer shumëçka.

22-vjeçari flet për eksperiencën te Fulham, marrëdhënien me Sylvinhon, pjesëmarrjen në Euro 2024 dhe tifozët. Sulmueis thekson se gjithë jetën e tij e ka “ëndërruar” të luajë në një kompeticion të tillë dhe tashmë ka fatin të jetë mes më të mirëve.

Kam folur shumë herë me Sylvinhon në telefon. Ai erdhi më takoi në Angli kur unë isha ende me paterica, më pas erdhi sërish kur luaja për Fulham. Më siguronte vazhdimisht se donte shumë që të punonte me mua duke më garantuar se isha pjesë e projektit të tij me Shqipërinë. Më bëri të ndjehesha i dashur dhe i vlerësuar, është diçka që lojtarët e rinj e kanë shumë të nevojshme. Më hodhi dorën në krah në momentin tim më të dobët dhe kur unë kisha më shumë nevojë.

Kur iu bashkova Shqipërisë në muajin mars, ndjeva menjëherë dashurinë e grupit. Ishte një nga momentet më emocionuese për mua, sidomos më pas kur luajta dhe tifozët thërrisnin emrin tim. Stadiumi ishte mbushur i gjithi.

Më pas më trishtoi fakti që në atë ndeshje me Shqipërinë luajta më shumë minuta se në katër muajt e fundit me Fulham. Para merkatos së janarit pati shumë pikëpyetje. Unë doja vetëm një siguri dhe në mendjen time kisha gjithnjë pyetjen se ku do të luaja në janar. Kishte shumë spekulime.

Në fund isha unë që vendosa për huazimin pasi doja minuta, doja të luaja për të rritur gjendjen fizike para Europianit. Marco Silva te Fulham më kërkoi dëshpërimisht. Më tha se do të merrja minuta dhe se do të luaja shumë ndeshje. Por, nuk më ndihmoi fati pasi Muniz nisi të shënonte vazhdimisht dhe është e vështira ta zëvendësosh një futbollist kur shënon shumë.

Silva më tha që të vazhdoja të punoja pasi do të vinte edhe momenti im, do të ma jepte mundësinë. Por, ajo mundësi nuk erdhi kurrë. Unë bëra gjithçka që të përfshihesha në skuadër, nuk kishte të bënte aspak me dëmtimin tim. Stërvitesha në mënyrë profesionale, kisha një marrëdhënie të shkëlqyer me shokët e skuadrës, stafi teknik ishte i mrekullueshëm. Por, në fund mendoja se po harxhoja kohë.

Katër muaj karrierë vetëm duke u stërvitur, ndosha edhe te Chelsea po të kisha qëndruar mund të kisha marrë më shumë minuta. Kjo nuk më pëlqeu aspak, por kështu e ka futbolli. Duhet të ecësh para dhe ta marr këtë eksperiencë si një mësim.

Nëse unë do të jem në fushë me Shqipërinë në Euro 2024, atëherë do të kem mundësinë t’u tregoj njerëzve se kush jam në të vërtetë. Sa herë mendoj për këtë, më vjen një buzëqeshje natyrale.

Gjthë jetën time kam ëndërruar që të isha pjesë e një eventi kaq madhor. Kam shumë për t’u provuar njerëzve, por edhe vetes sime. Në futboll ka shumë kritika, njerëz që dyshojnë në cilësitë e tua. Ata mbajnë mend vetëm ndeshjet e këqija dhe të gjykojnë kur je në pikën më të ulët.

Por, kënaqësia e vërtetë në futboll është kur i lë pas të gjitha këto. Do ta përdor të gjithë këtë energji si një shtysë për t’u provuar njerëzve të kundërtën. Më është dashur ta bëjë këtë gjatë gjithë jetës sime dhe ky Europian me jep një tjetër mundësi.

Dua të tregoj se e kam hedhur pas dëmtimin, dhe se mund t’ia dal kundër kombëtareve më të mëdha në botë, si dhe kundër disa prej mbrojtësve e lojtarëve më të mirë në qarkullim.

Dua t’i tregoj botës, vendit tim, familjes sime, shokëve, të gjithë atyre që dyshuan, por edhe atyre që më mbështesin, se unë mund të bëhem futbollisti që kam në mendje dhe të arrij të gjithë pritshmëritë që kam për veten”, ka mbyllur sulmuesi kuqezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top