“Në Euro 2020 shërbente si kamerier”, Marca artikull Asllanit: “Motori” i Shqipërisë që do të sfidojë Spanjën

Kristjan Asllani padiskutim është një nga liderët e Kombëtares, për të cilin prestigjiozja spanjolle “Marca” i ka kushtuar një artikull. Gazeta spanjolle e quan Asllanin si “motorin” e Shqipërisë, i cili në mbrëmje do të sfidojë Spanjën.

Lojtari i lindur në 2002 do të zbresë në fushë ndaj spanjollëve, teksa është në kërkim të historisë. “Marca” kujton se mesfushori nuk harron se nga vjen dhe as që vetëm tre vite më parë, teksa festonte fitoren e Italisë në “Euro 2020” (Europiani u luajt në vitin 2021), po shërbente tavolinat në festivalin “stringozzo alla tape senesë” në Itali. “Më pëlqejnë festivalet dhe të jem kamerier. Vrapoj me karrige i djersitur dhe mes mushkonjave për t’u sjellë ushqim banorëve të qytetit, turistëve dhe njerëzve që vijnë masivisht nga zonat e afërta”,kujton ai në “Cronache di spogliatoio”.

“Unë u rrita në Buti dhe nuk do ta ndryshoja për tërë botën. Sa herë që mundem, kthehem – thotë ai, duke iu referuar qytetit të vogël në Toskanë ku mbërriti kur ishte vetëm dy vjeç. Dhe fillimet nuk ishin të lehta – Babai erdhi në Itali me një varkë dhe më tregon se sa e vështirë ishte jeta në Shqipëri. Nëna ime kishte 18 vjeç dhe nuk ishte e lehtë. Ata vuajtën shumë dhe çfarë bënë për mua dhe për vëllain tim Leonardo, i cili është 13 vjeç, është e paçmueshme: ndihem sikur nuk mund t’ia kthej, por përpiqem”, rrëfen ai për “Corriere dello Sport”.

Papritur jeta e tij mori një kthesë rrënjësore. Vetëm 13 ndeshje si titullar në elitën e futbollit italian dhe dy gola kundër Interit – një me ekipin rezervë dhe një tjetër në Serinë A – i dhanë mundësinë të largohej nga Empoli dhe të nënshkruante për zikaltrit në këmbim të 10 milionë eurove.

“Kur mora mesazhin nga Havier Zaneti, për pak sa nuk më ra të fikët. Kur firmosa për Interin e çova të gjithë familjen time në Milano. Nëna ime punonte në një fabrikë ëmbëlsirash dhe babai im punonte në një fabrikë uji. Në verë ai kaloi gjithë ditën në diell: tani jeta e tij ka ndryshuar”, tregon mesfushori kuqezi. Ky admirues i Kakasë punon si aktor dytësor për Interin, me të cilin ka fituar titullin, por me Shqipërinë ka një rol udhëheqës. Tani ajo që “Mister Catering” vendos në pjatë janë golat dhe asistet.

“Ai është rritur shumë dhe është shumë i fortë mendërisht. Ai e ka kuptuar që jeta nuk të jep asgjë”, është shprehur trajneri i tij te Shqipëria, Silvinjo. Mund të priste thirrjen nga Italia… por ndihet krenar që ka zgjedhur Shqipërinë.

“Gjaku im është shqiptar, në shtëpi flas herë pas here gjuhën dhe gjyshërit e mi mbajnë gjallë rrënjët e mia. Nëse jam në Tiranë me kombëtaren shkoj t’i shoh”. Tani është në Gjermani, por shpreson që t’i japë atyre (gjyshërve) në distancë një fitore ndaj Spanjës dhe pse jo edhe një vend në turin e dytë. Të ëndërrosh është falas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top