Barcelona mund të mburret këtë fillim të sezonit se ka një treshe “vdekjeprurëse” në majën e sulmit. Rafinja, Lamin Jamal dhe Robert Levandovski po regjistrojnë disa shifra marramendëse në këto javë të para të sezonit. Përveç kësaj, është një nga linjat që është prekur më pak nga rotacionet e trajnerit Hansi Flik.
Trajneri u beson verbërisht dhe të tre kanë besim dhe duan të luajnë çdo minutë. Për më tepër, rekordet spektakolare në La Liga tashmë janë transferuar në Ligën e Kampionëve. Pas dështimit në Monako, të martën në mbrëmje, tre yjet e katalanasve ishin sërish protagonistë në fitoren 5-0 kundër Jang Bojs. Shifrat e të treve së bashku na lejojnë të kuptojmë numrin e madh të golave në favor që Barcelona ka në këtë nisje të sezonit.
Mes La Ligës dhe Ligës së Kampioneve, Rafinja, Levandovski dhe Lamin Jamal kanë festuar 20 gola nga 31 që ka shënuar ekipi. Domethënë 64.5 për qind të golave të Barçës mbajnë firmën e tyre. Duke ndarë dy turnetë, treshja ka 16 gola në kampionatin spanjoll, nga 25 të skuadrës dhe 4 në Champions League. Dhe Barcelona ka shënuar vetëm 6 gola në Evropë.
Por shifrat e tyre nuk janë domethënëse vetëm para portës, sepse të tre lojtarët gjithashtu mburren me një numër të mirë pasimesh për gol. Në La Liga, Barcelona ka dhënë gjithsej 18 asistime në gola, ku 10 prej tyre mbajnë firmën e treshes. Në fakt, Levandovski, Ferran Torres, Lamin Jamal dhe Rafinja janë pasuesit më të mirë të skuadrës në turneun e rregullt. Në Ligën e Kampionëve ata kanë një nga katër pasimet për gol.
TË PAPREKSHËM – Hansi Flik është i vetëdijshëm se e ka gjetur treshen e tij në sulm. Rafinja është ndoshta në momentin e tij më të ëmbël që prej mbërritjes në Barcelonë. Edhe pse zë krahun e majtë, apo edhe mesfushorin e qendrës, braziliani dëshiron që 2024- 2025 të jetë sezoni i tij. Për momentin, numrat e mbështesin atë. Ai ka 6 gola dhe katër asiste.
Përveç kësaj, ai ka karakter dhe përkushtim të madh në fushën e blertë. Lamin Jamal po përballet me sezonin e tij të parë të plotë pasi mrekulloi të gjithë në Europian dhe me çdo ndeshje që kalon ai rritet më shumë. Ai numëron pesë gola dhe pesë asiste. Për të mbërritur te Levandovski, i cili duket i gatshëm të garojë sërish deri në fund për të qenë golashënuesi më i mirë në La Liga.
Rekordet e tij në Liga, ku numëron 7 gola, janë pasuruar edhe me dy gola në Champions. Polaku bëri debutimin e tij në Evropë këtë sezon me një dopietë kundër Jang Bojs. Ai ka nënshkruar edhe dy asiste. Hansi Flik që nga dita e parë ka siguruar një sulm të garantuar dhe është shumë i fokusuar te goli. Barcelona edhe një herë ka një treshe sulmuese për të ëndërruar sërish.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL