Vodhi supë të gatshme në supermaket, ish-sulmuesi problematik i Danimarkës që kafshoi policen përfundon përsëri pas hekurave

Niki Bille duket se nuk do të heqë kurrë nga vetja famën e një personi problematik. Ish-sulmuesi i cili shihej si një lojtar që do të bënte emër në futboll, ka bërë emër përsëri për një ngjarje jashtë fushës së lojës, si të shumtat që i kanë shkatërruar një karrierë shumë premtuese.

Këtë herë, Bille është dënuar me një muaj burg, pasi ka vjedhur në një supermarket më 4 shtator një shishe verë, lëng frutash dhe supë të gatshme. Ish-sulmuesi i cili në karrierën e tij ka luajtur me përfaqësuesen e Danimarkës, ashtu si edhe me klube si Vijareal e Rajo Vajekano, ishte munduar të largohej nga supermarketi pa paguar këto sende që kushtonin rreth 20 euro dhe ishte përballur edhe me punonjësit duke i kërcënuar që të mos e raportonin në polici.

Sipas mediave daneze, Bille kishte kapur nga fyti një nga punonjësit e supermarketit duke e kërcënuar se do t’i thyente nofullën, ndërsa i kishte thënë se nëse shkonte në polici, do ta gjente jashtë punës. Por para gjykatës ai ka pranuar fajin dhe është dënuar me 1 muaj burg, pasi do të rrijë pas hekurave deri më 31 tetor.

Çështja mbetet e hapur gjithsesi pasi është raportuar se Bille akuzohet edhe për kërcënim dëshmitarësh, pasi një grua ende e paidentifikuar dhe në kërkim nga policia, kishte shkuar dy javë më vonë për të kontaktuar personat dhe përsëritur kërcënimin.

Kjo nuk është hera e parë që ish-futbollisti 26-vjeccar danez arrestohet. Ai ishte në burg në vitin 2018 kur u akuza për dhunë ndaj një gruaje dhe tregti kokaine. Tre vite më parë, kishte qenë arrestuar për një përplasje me një police, teksa raportohet se e kishte kafshuar atë në krah.

PANORAMASPORT.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top