VIDEO/ Turam shkëlqen me tre gola në fitoren e Interit, Torino i afrohet barazimit edhe me 10 lojtarë

Interi ka marrë sot fitoren e radhës në Serinë A. Zikaltrit kanë mposhtur me rezultatin 3-2 Torinon në javën e 7 të kampionatit. Maripani kryen një ndërhyrje të ashpër kundrejt Turamit në minutën e 20 të takimit, e cila e nxorri jashtë loje përpara kohe.

Interi e shfrytëzoi menjëherë epërsinë numerike. Ajo ndërhyrje duket se e shtoi urinë e Turamit për të shënuar. Sulmuesi francez zhbllokoi rezultatin në minutën e 25, ndërsa 10 minuta më vonë dyfishoi rezultatin. Por pa kaluar minuti, Duvan Zapata ngushtoi diferencat në 2-1.

Në pjesën e dytë ishte përsëri Markus Turami ai që e dërgoi topin në rrjetë për zikaltrit. Futbollisti francez konfirmoi formën e tij të jashtëzakonshme në këtë ndeshje, duke shënuar golin e tretë në minutën e 60 të takimit. Megjithatë Torino nuk dorëzohet, teksa në minutën e 86 gjeti përsëri rrugën e rrjetës. Këtë herë ishte Vlashiçi ai që i çoi shifrat në 3-2 falë një 11 metërshi të shndërruar në gol. Rezultati mbeti i tillë edhe pas vërshëllimës së trefishtë të arbitrit, çka bëri që ekipi i Inzagit të mbajë ritmin e Napolit në kampionat. Interi ngjitet në vendin e dytë të renditjes, vetëm 2 pikë larg kreut./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top