Paris Saint-Germaini ka luajtur baras me rezultat 1-1 në udhëtim ndaj Nice në kuadër të javës së shtatë në Ligue 1.
Mohamed-Ali Cho në minutën e 13-të rrezikoi i pari për vendasit por gjuajtjen e tij të mirë me kokë e priti për mrekulli Donnarumma.
PSG-ja në anën tjetër rastin e parë serioz në këtë takim e pati në minutën e 37-të kur Nuno Mendes rrezikoi seriozisht portën e vendasve, por portieri Bulka bëri një pritje fantastike për t’ia mohuar golin.
Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 39-të përmes Ali Abdi që realizoi për 1-0 falë një devijimi nga lojtarët kundërshtar.
Mysafirët e gjetën golin e barazimit në pjesën e dytë përmes Nuno Mendes i cili u asistua nga Ousmane Dembele në minutën e 52-të për rezultatin 1-1.
Një rast të mirë shënimi e pati Marquinhos vetëm dy minuta më vonë në të 54-tën, por gjuajtja e tij me kokë u ndal nga shtylla e djathtë e portës.
Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati ndonjë ndryshim të rezultatit dhe të dy ekipet u desh të pajtoheshin me nga një pikë.
Pas javës së shtatë PSG-ja numëron 17 pikë të grumbulluara dhe mban pozitën e dytë në tabelë pas liderit Monaco, ndërsa Nice ka nëntë pikë dhe mban pozitën e nëntë në renditje.