Iniesta tërhiqet nga futbolli, është zyrtare

Andres Iniesta është gati t’i japë fund zyrtarisht karrierës së tij të jashtëzakonshme si futbollist. Njoftimi i mesfushorit legjendar spanjoll, i planifikuar për nesër më 8 tetor, u parapri nga një video emocionuese e publikuar në kanalet e tij sociale, në të cilën Iniesta, dukshëm i prekur, riktheu momentet më domethënëse të jetës së tij futbollistike.

Pyetja që hapi videon “Çfarë do të thotë futbolli për ty?”, ka shkaktuar një emocion të thellë tek ai.

Në pamundësi për të mbajtur lotët, Iniesta filloi të përgjigjet: “Për mua futbolli ishte…”, por fjalët mbetën pezull, duke lënë vend për montazhin e imazheve që tregojnë historinë e karrierës së tij të pabesueshme.

Në videon e ish-futbollistit të Barcelonës dhe Spanjës, i freskët nga eksperiencat e tij në Japoni dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, shfaqen disa protagonistë të rrugëtimit të tij, mes të cilëve Luis Enrique dhe Vicente Del Bosque.

Videoja e shpërndarë nga vetë kampioni ofron një vështrim emocional në karrierën e tij, me imazhe që e portretizojnë atë të veshur me fanellën legjendare të katalanasve.

Numri 8, i shndërruar simbolikisht në një shenjë të pafundësisë, duket se përfaqëson ndikimin e përjetshëm që Iniesta pati në futbollin botëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top