SImone Inzagi sot është shfaqur në hetuesi, për të dhënë dëshminë e tij rreth ngjarjeve që e përfshijnë atë në dosjen e skandalit të ultrasve mafiozë të Interit dhe Milanit. Trajnerit të Interit i është kërkuar që të sqarojë raportet që kishte me këto personazhe të cilët kanë përfunduar pas hekurave pasi i janë rreshtuar një sërë akuzash për veprimtari të paligjshme.
Trajneri nuk është mes të hetuarve për dosjen me emrin “Doppia Curva”, por ka treguar për kontaktet që kishte me ta, sidomos për bisedën e famshme me Marko Ferdiko, ish-kapoultras i Curva Nord interiste. Ai e kishte telefonuar trajnerin duke i kërkuar më shumë bileta për ultrasit për finalen e Ligës së Kampioneve 2023.
Sipas “Gazzetta Dello Sport”, Inzagi ka sqaruar gjatë dëshmisë që ka zgjatur rreth një orë se nuk ka marrë kërkesa të mirëfillta nga utlrasit, apo kërcënime. “Ka dhënë një dëshmi të pastër dhe i është përgjigjur çdo pyetje”, kanë sqaruar burime të grupit hetimor rreth dëshmisë se Inzagit. Trajneri ka shpjeguar se biseda të tilla ishin raportet tipike mes ultrasve dhe skuadrës.
Hetuesit e shohin këtë si një kërkesë për ndërhyrje të trajnerit, i cili ka “premtuar” se do të fliste për këtë çështje me Marotën, por pa u bërë premtime të tjera atyre rreth biletave apo pa u garantuar se kërkesa e tyre për një numër më të lartë do të plotësohej. Nesër apo pasnesër para hetuesve do të japë dëshminë e tij Havier Zaneti, i cili aludohet se ka dekonspiruar hetimet e policisë rreth ultrasve mafiozë.
PANORAMASPORT.AL