E konfirmon prestigjozja britanike, Armando Broja nuk luan këtë vit për Kombëtaren

Armando Broja ka nisur të marrë minutat e para me Everton. I bashkuar me klubin nga Liverpooli vetëm në fundin e merkatos, në huazim nga Chelsea, sulmuesi i Shqipërisë duket se nuk e ka të lehtë rikuperimin.

Një lëndim e mban jashtë prej javësh dhe Everton do e ketë në vëzhgim, teksa do e aktivizojë në ekipin e të rinjve për të marrë më shumë minuta. ‘The Athletic’ në Britaninë e Madhe bën me dije se Broja do mund të jetë gati vetëm pas mesit të nëntorit, çka do të thotë se për këtë sezon ai e ka mbyllur me Kombëtaren në Ligën e Kombeve.

Edhe pse kuqezinjtë i luajnë ndeshjet e fundit më 16 dhe 19 nëntor, forma dhe minutat e pakëta në fushë do e mbajnë jashtë Brojën nga kuqezinjtë.

‘’Sulmuesi shqiptar ka bërë përparim pozitiv në përpjekjen e tij për t’u rikthyer nga një dëmtim në këmbë dhe është i vendosur të përshpejtojë rehabilitimin e tij gjatë pushimit ndërkombëtar.

Në vend që të bashkohej me Shqipërinë, ai do të qëndrojë në Liverpool për të vazhduar programin e tij. Një rikthim në lojë nga mesi i nëntorit konsiderohet të jetë një objektiv i mundshëm, megjithëse Everton do ta trajtojë rikthimin e tij me kujdes, me shumë mundësi duke e futur atë në aksionin me 21 vjeçarët për të kapur formën’’, shkruan media në fjalë.

Broja ka nisur stërvitjet e lehta me stafin mjekësor të Evertonit, i cili do të merret me rehabilitimin e tij. Ai tashmë është përfshirë në skuadër, pasi ka kaluar kohë në terrenin e tyre stërvitor ‘Finch Farm’ dhe ka ndjekur ndeshjet së bashku me lojtarë të tjerë të lënduar.

Pas fitores së fundit ndaj Crystal Palace, e para e sezonit për Everton, Broja u filmua në tunelin e dhomave të zhveshjes duke uruar shokun e ri të skuadrës Jarrad Branthuaite.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top